Një sulm me thikë gjatë të cilit një person vrau tre njerëz dhe  plagosi tetë të tjerë në një festival në perëndim të Gjermanisë, ishte një “akt i mundshëm terrorizmi”, tha një zyrtar gjerman të shtunën.

Nuk vonoi edhe marrja përsipër nga ISIS si një hakmarrje për vëllezërit myslimanë në Gaza.

Policia gjermane arrestoi një 15-vjeçar, për të cilin tha se po e heton nëse ka lidhje të mundshme me vrasësin e arratisur.

Të shtunën në mëngjes, policia gjermane e nisi një operacion të gjerë kërkimi në qytetin perëndimor të Gjermanisë, Solingen, për ta kapur dorasin e sulmit të së premtes mbrëma.

Forca të mëdha policore, përfshirë njësi speciale, janë mbledhur përreth qendrës së qytetit Solingen.

“Edhe viktimat, edhe dëshmitarët janë duke u marrë në pyetje”, tha policia.

Sulmi ndodhi të premten pas orës 21:00 kur sulmuesi i theri me thikë disa persona në një shesh në qendër të qytetit.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, kërkoi kapjen dhe ndëshkimin e tij

Sipas policisë, sulmi u krye nga një sulmues i vetëm.

“Festivali i Shumëllojshmërisë”, i cili shënon përvjetorin e 650-të të qytetit, nisi të premten dhe duhej të mbahej deri të dielën.

Solingeni  ka rreth 160.000 banorë dhe ndodhet afër qyteteve të mëdha Këln dhe Dyseldorf./Mespec.al, REL

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu