
Bruksel (AP) – Një sulm kibernetik që synoi sistemet e check-in dhe imbarkimit ka shkaktuar kaos në trafikun ajror dhe vonesa të shumta në disa nga aeroportet kryesore të Europës, njoftuan zyrtarët të shtunën.
Aeroporti i Brukselit bëri të ditur se për shkak të sulmit, procesi i check-in dhe imbarkimit po kryhet vetëm në mënyrë manuale, gjë që po ndikon ndjeshëm në oraret e fluturimeve.
“Një sulm kibernetik ndodhi mbrëmjen e së premtes, më 19 shtator, kundër ofruesit të shërbimeve për sistemet e check-in dhe imbarkimit, duke prekur disa aeroporte europiane, përfshirë Aeroportin e Brukselit,” – thuhet në deklaratën e aeroportit.
Autoritetet në Aeroportin Brandenburg të Berlinit thanë se sulmi ishte drejtuar ndaj një kompanie që menaxhon sistemet e shërbimit për pasagjerët. Si masë sigurie, lidhjet me këto sisteme u ndërprenë menjëherë.
Edhe Aeroporti i Heathrow në Londër, më i ngarkuari në Europë, raportoi për “një problem teknik” që preku po të njëjtin ofrues shërbimi.
“Collins Aerospace, që furnizon sistemet e check-in dhe imbarkimit për disa linja ajrore në shumë aeroporte në mbarë botën, po përballet me një problem teknik që mund të shkaktojë vonesa për pasagjerët që udhëtojnë,” – u tha në një deklaratë nga Heathrow.
Të tre aeroportet u kërkuan udhëtarëve që të kontrollojnë statusin e fluturimeve përpara se të nisen dhe kërkuan ndjesë për shqetësimet e shkaktuara.