Tensionet në Lindjen e Mesme kanë shkaktuar një tjetër tronditje në tregjet energjetike, pasi tre anije të tjera tregtare u sulmuan gjatë natës në Gjirin Persik, duke shtyrë çmimin e naftës pranë nivelit 100 dollarë për fuçi.

Sipas raportimeve ndërkombëtare, dy cisterna nafte u goditën nga një “predhë e panjohur” pranë brigjeve të Irakut, rreth 5 milje detare larg Basrës. Pas goditjes, në të dyja anijet shpërthyen zjarre, ndërsa ekuipazhi u evakuua. Autoritetet raportojnë se 38 persona janë shpëtuar, ndërsa një person ka humbur jetën.

Një tjetër anije kontejnerësh u godit disa orë më vonë pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe, rreth 35 milje detare nga Ngushtica e Hormuzit. Goditja shkaktoi një zjarr të vogël në bord, por të gjithë anëtarët e ekuipazhit rezultuan të sigurt.

Sulmet e fundit kanë rritur ndjeshëm pasigurinë në tregjet globale të energjisë. Nafta Brent arriti përkohësisht nivelin 100 dollarë për fuçi në tregjet aziatike, ndërsa më pas u stabilizua rreth 97 dollarë për fuçi. Nafta e tregtuar në Nju Jork po ashtu është rritur mbi 92 dollarë për fuçi.

Rritja e çmimeve vjen pavarësisht vendimit të 32 vendeve për të liruar rreth 400 milionë fuçi nga rezervat strategjike të naftës në përpjekje për të qetësuar tregjet.

Ndërkohë konflikti në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet. Raportohet për sulme iraniane në disa vende të rajonit, përfshirë Bahreinin dhe Omanin, ndërsa një ndërtesë shumëkatëshe në Dubai është goditur nga një dron.

Në të njëjtën kohë, Izraeli ka kryer sulme të reja në Liban, ku sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, të paktën tetë persona kanë humbur jetën në një goditje në bregdetin e Bejrutit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu