Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe 29 të tjerë janë plagosur, përfshirë edhe një fëmijë, pas një sulmi të armatosur në Bondi Beach, Sydney, i cili autoritetet australiane e kanë cilësuar zyrtarisht si akt terrorist antisemit, të drejtuar kundër komunitetit hebre.

Sipas Policisë së New South Wales, sulmi ndodhi gjatë një aktiviteti publik në plazh për shënimin e fillimit të festës së Hanukkah, ku merrnin pjesë mbi 1 mijë persona. Një nga viktimat është rabini Eli Schlanger, 41 vjeç, me origjinë britanike, baba i pesë fëmijëve, i cili u konfirmua i vrarë nga familjarët e tij.

Autoritetet bëjnë me dije se një nga autorët e sulmit është vrarë, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje kritike. Gjithashtu, nga një automjet i lidhur me autorin  janë neutralizuar disa mjete shpërthyese artizanale (IED).

Kryeministri australian Anthony Albanese e cilësoi ngjarjen si “një akt i së keqes, antisemitizëm dhe terrorizëm që ka goditur zemrën e kombit”, ndërsa kryeministri i New South Wales, Chris Minns, theksoi se sulme të tilla janë jashtëzakonisht të rralla në Australi, çka e bën ngjarjen edhe më tronditëse.

Reagime të forta kanë ardhur edhe nga liderë botërorë. Mbreti Charles III dënoi “sulmin më të tmerrshëm antisemit” dhe shprehu solidaritet me komunitetin hebre, ndërsa OKB, BE dhe liderë si Emmanuel Macron dhe Keir Starmer dënuan ashpër aktin e dhunës.

Dëshmitarë okularë kanë rrëfyer për BBC se fillimisht i ngatërruan të shtënat me fishekzjarrë, por më pas paniku përfshiu zonën, me njerëz që vraponin dhe fshiheshin për të shpëtuar jetën.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet australiane kanë rritur masat e sigurisë, veçanërisht rreth institucioneve dhe aktiviteteve të komunitetit hebre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu