Një stuhi e fuqishme dimërore ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke shtrirë borë dhe akull në një distancë prej rreth 2 mijë kilometra , nga New Mexico deri në Appalachians, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se ndikimi i saj do të zgjerohet në mbi 3 mije km, nga Teksasi deri në New England, gjatë fundjavës.

Sipas CNN, situata po përkeqësohet veçanërisht në jug të vendit, ku akulli i rrezikshëm ka shkaktuar rritje të shpejtë të ndërprerjeve të energjisë elektrike. Më shumë se 80 mijë familje janë aktualisht pa energji në shtete si Teksasi, Luiziana, New Mexico dhe Arkansas, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se disa zona mund të mbeten pa rrymë për ditë të tëra.

Kaos në transport

Stuhia ka shkaktuar edhe një krizë të rëndë në transportin ajror, me mbi 13 mijë fluturime të anuluara nga e shtuna deri të hënën. Vetëm të dielën janë anuluar mbi 8,200 fluturime, duke prekur veçanërisht aeroportet e Dallasit, Atlantës, Nju Jorkut dhe Bostonit. Gjithashtu, disa segmente autostradash janë mbyllur për shkak të kushteve ekstreme të rrugëve.

I ftohtë ekstrem dhe rrezik për ditë të tëra

Më shumë se gjysma e popullsisë amerikane pritet të përjetojë temperatura me ndjesi nën zero gjatë javës së ardhshme. I ftohti ekstrem pritet të “ngrijë” borën dhe akullin në vend, duke e bërë situatën edhe më të rrezikshme për ata që mbeten pa energji elektrike dhe ngrohje.

Në verilindje, parashikohet që bora të bjerë me intensitet deri në një inch në orë, ndërsa në disa zona nuk përjashtohet as fenomeni i rrallë i “thundersnow” (borë me stuhi elektrike).

 

Gjendje emergjence në disa shtete

Deri më tani, të paktën 20 shtete kanë shpallur gjendjen e emergjencës, përfshirë Ohio, New York, Georgia, Virginia dhe Carolinas. Presidenti Donald Trump ka miratuar gjithashtu deklarata emergjence federale për disa prej tyre, duke hapur rrugën për ndihmë shtesë dhe ndërhyrje të Gardës Kombëtare.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, të përgatiten me ushqime, ujë dhe mjete emergjence, dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme, duke paralajmëruar se drejtimi i automjeteve në këto kushte është “një lojë fati me gjasa shumë të këqija”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu