
Një stuhi e fortë dimërore ka goditur rajonin verilindor të Shteteve të Bashkuara dhe zonën e Liqeneve të Mëdha, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe kaos në transportin ajror, pikërisht në periudhën e ngarkuar të udhëtimeve mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Sipas mediave amerikane, mbi 3 mijë fluturime kanë pësuar vonesa të shtunën në tre aeroportet kryesore të New York City – JFK, LaGuardia dhe Newark, ndërsa rreth 700 fluturime janë anuluar. Një ditë më parë, të premten, ishin regjistruar vonesa për mbi 8.500 fluturime dhe 1.700 anulime.
Reshjet e borës në qytetin e Nju Jorkut arritën rreth 10–11 centimetra, ndërsa në disa zona përreth, si Long Island dhe Catskills, bora shkoi deri në 15–25 centimetra. Autoritetet paralajmëruan për rrugë të rrezikshme nga akulli, dëmtime të mundshme të pemëve dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik bëri të ditur se stuhia po lëvizte drejt juglindjes dhe se situata gradualisht po përmirësohej, megjithatë kushtet e udhëtimit mbetën problematike për disa orë. Guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut shpalli gjendje emergjence në më shumë se gjysmën e territorit, ndërsa masa të ngjashme u morën edhe në shtetin e New Jersey.
Ndërkohë, në bregun perëndimor, Kalifornia po përballet me pasojat e një vale reshjesh intensive të ditëve të fundit, ku të paktën tre persona humbën jetën si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.
Autoritetet amerikane u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të tregojnë kujdes të shtuar në rrugë dhe aeroporte, për shkak të kushteve të paqëndrueshme të motit.




