Stuhia e fuqishme “Byron” ka goditur Greqinë mëngjesin e së premtes, duke shkaktuar kaos në qarkullim, përmbytje të gjera dhe mbyllje masive të shkollave. Autoritetet aktivizuan sistemin emergjent 112 me mesazhe paralajmëruese, ndërsa reshjet e dendura dhe stuhitë elektrike prekën disa rajone të vendit.

Shirat e fuqishëm u regjistruan në Atikë, Peloponezin jugor dhe lindor, Kretë, Greqinë Qendrore Lindore, Evia, Sporade, Thesalinë lindore, Maqedoninë Qendrore dhe ishujt e Egjeut lindor e verior. Në Mandra, Alimos dhe Keratsini pati përmbytje të menjëhershme, ndërsa autostrada Athinë–Korfuz u mbyll pjesërisht midis Elefsinës dhe Korfuzit.

Shërbimi Zjarrfikës njoftoi se qendra operative ka marrë 331 telefonata nga e enjtja deri sot në orën 06:00, kryesisht për pompim uji, pemë të rrëzuara dhe ndihmë për drejtues automjetesh të mbetur në rrugë. Problemet më të shumta u konstatuan në Perëndim të Atikës, në zonat Mandra, Nea Peramos dhe Megara.

Rajoni i Atikës urdhëroi mbylljen e të gjitha shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, ndërsa Ministria e Brendshme njoftoi se punonjësit e administratës që nuk munden të arrijnë në punë për shkak të motit do të konsiderohen me mungesë të arsyetuar. Qytetarët u këshilluan të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë larg ambienteve bodrum.

Komiteti i Vlerësimit të Riskut pritet të mblidhet sërish në mesditë për të vlerësuar situatën. Ndërkohë, shërbimi kombëtar meteorologjik EMY parashikon reshje intensive dhe stuhi gjatë gjithë paradites në Maqedoninë Qendrore, Thesali, Sporade, Greqinë Qendrore Lindore, Evia, Cikladet, Kretë, ishujt e Egjeut Lindor dhe Dodekanez, si dhe në Peloponezin lindor e jugor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu