
Disa qen jashtëzakonisht inteligjentë janë në gjendje të mësojnë emra të rinj objektesh vetëm duke dëgjuar bisedat e njerëzve, në një mënyrë të ngjashme me fëmijët e vegjël. Ky është përfundimi i një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore Science.
Studiuesit nga Eötvös Loránd University në Hungari analizuan sjelljen e qenve të konsideruar “të talentuar” në të mësuarit e emrave të lodrave. Këta qen u identifikuan pasi pronarët e tyre kontaktuan ekipin shkencor, duke deklaruar se kafshët e tyre njihnin dhjetëra lodra me emër.
![]()
Në studim u përfshinë 10 qen, mes tyre edhe Bryn, një Border Collie 11-vjeçar nga Mbretëria e Bashkuar, i cili njeh rreth 100 lodra me emër. Fillimisht, pronarët u prezantuan qenve dy lodra të reja, duke ua përsëritur emrat gjatë lojës dhe ndërveprimit të drejtpërdrejtë për disa ditë.
Rezultatet treguan se vetëm tetë minuta ndërveprim ishin të mjaftueshme që shumica e qenve të mësonin emrat e dy lodrave të reja. Shtatë nga 10 qen arritën t’i identifikonin dhe t’i sillnin saktë lodrat kur u kërkohej.
Eksperimenti u përsërit më pas në kushte “përgjimi”. Pronarët flisnin mes tyre për lodrat, duke i përmendur emrat në fjali, pa i parë dhe pa komunikuar drejtpërdrejt me qentë. Kafshët ndodheshin pas një pengese sigurie dhe nuk lejoheshin të ndërvepronin.

Edhe në këtë rast, shtatë nga 10 qen arritën të identifikonin saktë lodrat, duke treguar se ishin në gjendje të mësonin fjalë të reja vetëm duke dëgjuar bisedat njerëzore. Sipas studiuesve, kjo aftësi është funksionalisht e ngjashme me mënyrën se si fëmijët e vegjël mësojnë fjalë të reja duke dëgjuar të rriturit.
Studimi forcon idenë se disa qen kanë aftësi njohëse shumë më të avancuara sesa mendohej më parë dhe se komunikimi mes njerëzve dhe qenve mund të jetë më kompleks nga sa është besuar deri tani.






