Një studim i ri sugjeron se të ashtuquajturat “kimikate të përjetshme”, të njohura si PFAS, mund të përshpejtojnë plakjen biologjike te burrat në të 50-at dhe fillim të të 60-ave, më shumë sesa te gratë e së njëjtës moshë.

PFAS (substanca per- dhe polifluoroalkile) quhen “forever chemicals” sepse shpërbëhen shumë ngadalë në mjedis dhe në trupin e njeriut. Ato përdoren prej dekadash në produkte plastike, ambalazhe ushqimore, materiale kundër njollave dhe yndyrës, si dhe në industri të ndryshme. Sipas Akademive Kombëtare të Shkencave në SHBA, gjurmë të PFAS gjenden në gjakun e rreth 98% të amerikanëve.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Frontiers in Aging”, analizoi të dhënat e 326 personave të përfshirë në një anketë kombëtare shëndetësore në SHBA në vitet 1999–2000. Mostrat e gjakut u testuan për 11 lloje PFAS dhe u analizua edhe metilimi i ADN-së për të vlerësuar të ashtuquajturën “moshë epigjenetike” – pra moshën biologjike të trupit, jo atë kronologjike.

Sipas autorit kryesor të studimit, Xiangwei Li nga Universiteti i Mjekësisë në Shanghai Jiao Tong, lidhja mes ekspozimit ndaj PFAS dhe plakjes së përshpejtuar ishte më e fortë te burrat 50–65 vjeç. Te burrat më të rinj dhe ata mbi 65 vjeç, lidhja ishte më e dobët, ndërsa te gratë efektet rezultuan më të vogla dhe më pak të qëndrueshme.

Ekspertët thonë se ky mund të jetë një efekt i lidhur me sistemin endokrin, pasi PFAS njihen si ndërhyrës hormonalë. Studime të mëparshme kanë treguar se te burrat, grumbullimi i PFAS mund të ulë nivelet e testosteronit, të ndikojë në cilësinë e spermës dhe të rrisë rrezikun për disa lloje kanceri.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se bëhet fjalë për lidhje statistikore dhe jo për prova të drejtpërdrejta shkak-pasojë. Industria kimike, përmes Këshillit Amerikan të Kimisë, ka deklaruar se studimi është eksplorues dhe i bazuar në një kampion të vogël, duke theksuar se nuk provon se PFAS shkaktojnë plakje.

Pavarësisht debatit, ekspertët rekomandojnë masa praktike për të reduktuar ekspozimin, si përdorimi i filtrave të certifikuar për ujë, ndjekja e njoftimeve lokale për cilësinë e ujit dhe shmangia e produkteve me veshje kundër yndyrës dhe njollave kur është e mundur./cnn

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu