Në afërsi 50 fakulteteve shtetërore të Serbisë janë zyrtarisht në bllokadë, ku çdo ditë po u bashkohen degë tjera.
Për sot është paraparë një protestë para ndërtesës së Radio Televizionit të Serbisë si vazhdimësi e bllokadës që po zgjatë prej javësh, transmeton Telegrafi.
Kërkesat e studentëve mbeten të njëjta – hapja e dokumente sekrete për ngjarjen tragjike në stacionin e trenit në Novi Sad, por edhe procedimi i grupit organizativ që i sulmoi ata dhe profesorët e tyre në një tubim, derisa po nderonin ata që humbën jetën në këtë tragjedi.
Studentët mbrëmë u mblodhën krejt spontanisht para presidencës në Beograd derisa prisnin që t’ju drejtohet Aleksandar Vuçiq, por në një moment kordoni i policisë reagoi kundër turmës.
Dekanati i Fakultetit Ekonomik në Kragujevc mbështeti kërkesat e studentëve.
“Me këtë rast dëshirojmë të mbështesim kërkesat e studentëve për të ndriçuar të gjitha faktet që kanë të bëjnë me ngjarjen tragjike në stacionin e trenit në Novi Sad. Detyra e përbashkët e të gjithëve ne është që çdo tragjedi të zbardhet dhe përgjegjësit të ndiqen penalisht. Ne mbështesim studentët që të avokojnë për transparencë dhe veprim në kohë të institucioneve, sepse rruga drejt së vërtetës dhe drejtësisë nuk ka alternativë. Të jemi të bashkuar, sepse institucionin tonë e kemi ndërtuar mbi unitet”, thuhet ndër të tjera në njoftimin, u tha nga Dekanati. /Telegrafi/