Kombëtarja shqiptare prej disa ditësh vijon përgatitjet në Austri për kampionatin Evropian dhe miqësoren kundër Azerbajxhanit të premten, ndërsa këtë të mërkurë kuqezinjtë janë stërvitur me dy seanca në ditë. Tani grupi është i plotë dhe Sylvinho ka në dispozicion të 27 futbollistët e thirrur, përfshirë kapitenin Gjimshiti, Abrashin, Seferin, Ramadanin dhe portierin Simon Simoni.
Ndërkohë që kombëtarja stërvitet në Austri, trajneri brazilian i kombëtares ka dhënë një intervistë për faqen e UEFA-s.
I pyetur për të përbashkëtat që ka Brazili dhe Shqipëria Sylvinho është shprehur se ‘njerëzit janë shumë të dashur dhe të gatshëm të ndajnë bukën me ty’. Ai shton se një e përbashkët tjetër është se të dy popujt e kanë shtëpinë e hapur për mikun.
Më 7 qershor, përveç miqësores me Azerbajxhanin, është edhe dita kur Sylvinho do dorëzojë listën përfundimtare me 26 futbollistë në UEFA, ndërsa më 15 qershor në stadiumin e Dortmundit, Sigal Iduna Park, do luhet ndeshja e parë e Evropianit në grupin e ferrit kundër Italisë.