Sterilizimi dhe kastrimi i kafshëve shtëpiake është një nga ndërhyrjet më të zakonshme veterinare, por që ende shoqërohet me dilema, keqkuptime dhe debate. Ekspertët e shëndetit veterinar theksojnë se kjo procedurë është thelbësore si për mirëqenien e kafshëve, ashtu edhe për kontrollin e popullsisë së tyre, sidomos në rrugë.

Më poshtë, AIA.AL sjell përgjigjet e specialistëve për pyetjet më të shpeshta që kanë kujdestarët e kafshëve:

1. Pse duhet sterilizimi/kastrimi?

Sterilizimi dhe kastrimi ndihmojnë në parandalimin e shtimit të pakontrolluar të kafshëve, që shpesh përfundojnë në rrugë apo në kushte të vështira. Përveç kësaj, procedura ndikon pozitivisht në sjelljen e kafshëve, duke ulur agresivitetin, shenjimin e territorit dhe stresin gjatë periudhave të çiftëzimit apo zhbalancimet hormonale që shkaktojnë sëmundje si piometra, endondometriri, tumore mamare apo tumore te ndryshme.

2. A duhet bërë patjetër për çdo kafshë që jeton me ne?

Jo çdo kafshë është e detyruar t’i nënshtrohet menjëherë këtij procesi, por në shumicën e rasteve, veterinerët e rekomandojnë si masë parandaluese. Për kafshët shtëpiake arsyeja kryesore për sterilizimin është për të shmangur lindje të padëshiruara dhe probleme të mëvonshme shëndetësore, që nisin të shfaqen pasi mbushin 5 vjeç. Të pyetur nga AIA.AL mjekët veterinerë në Klinikën 4 Zampe në Tiranë raportuan se vitet e fundit 80% e kafshëve shtëpiake kanë shfaqur sëmundje që shkaktohen nga zhbalancime hormonale, si piometra apo tumoret mamare.

3. Po te kafshët e rrugës çfarë dobie ka?

Për kafshët endacake, sterilizimi është mënyra më humane për të kontrolluar popullsinë. Përmes programeve të bashkive apo organizatave, shumë komunitete kanë arritur të stabilizojnë numrin e qenve dhe maceve të rrugës pa përdorur metoda agresive apo çnjerëzore.

4. A mbart rreziqe për kafshët procesi i sterilizimit/kastrimit?

Si çdo ndërhyrje kirurgjikale, ekziston një rrezik minimal, por në duar profesionale procedura është e sigurt dhe me komplikacione të rralla. Përdoren anestezi moderne dhe kujdes pas operacionit që minimizon çdo pasojë të mundshme.

5. Çfarë rrezikojnë nëse nuk i nënshtrohen këtij procesi?

Kafshët e pasterilizuara kanë më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundje të rënda si tumore të mitrës, testikujve apo gjirit. Për më tepër, sjelljet e lidhura me çiftëzimin – agresiviteti, ikjet nga shtëpia dhe grindje me kafshë të tjera – janë më të shpeshta.

6. Sa zgjat një procedurë dhe si duhet të përgatitet kafsha dhe kujdestari?

Operacioni zgjat mesatarisht nga 20 deri në 40 minuta. Kafsha duhet të jetë esëll për 8–12 orë para ndërhyrjes, ndërsa kujdestari duhet të sigurojë një ambient të qetë për rikuperim dhe të ndjekë udhëzimet e veterinerit për kujdesin pas operacionit.

7. Kur është mosha më e mirë për qenin/macen për ta bërë ndërhyrjen?

Koha optimale është pas moshës 5–6 muaj, përpara se kafsha të arrijë pjekurinë seksuale. Megjithatë, veterineri mund ta përcaktojë më saktë momentin në varësi të racës, shëndetit dhe zhvillimit të kafshës.

8. Sa zgjat rikuperimi dhe çfarë këshillash praktike jepen?

Rikuperimi zgjat zakonisht 7–10 ditë. Kafsha duhet të mbahet në një ambient të pastër, të qetë  Ushqimi i lehtë, hidratimi dhe kontrollet pas operacionit janë të domosdoshme për shërim të plotë.

Sterilizimi dhe kastrimi janë akte kujdesi, jo privimi. Ato përmirësojnë cilësinë e jetës së kafshëve dhe ndihmojnë komunitetin të ketë një raport më të shëndetshëm me to — duke reduktuar dhimbjen, braktisjen dhe sëmundjet që vijnë nga shumimi i pakontrolluar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu