
Gjatë vizitës së saj zyrtare në Hagë, ministrja për Punët e Jashtme dhe Europën, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgimin e Gjykatës Speciale.
Në një reagim në rrjetet sociale, Spiropali tha se i përcolli Thaçit mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare dhe të Ministrisë së Jashtme, duke theksuar rëndësinë e një procesi të drejtë gjyqësor për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Takova presidentin Thaçi në paraburgimin e Gjykatës Speciale dhe përmes tij përcolla përshëndetjet e qeverisë shqiptare dhe të popullit tonë edhe për Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin. Më gëzon fakti që Thaçi është në gjendje të mirë dhe i ndjek zhvillimet në Kosovë e Shqipëri me vëmendje. I shpreha mbështetjen tonë për një proces të rregullt e të drejtë, që të sjellë drejtësi historike dhe jo padrejtësi historike,” shkruan Spiropali.
Ajo theksoi se vendimi i Gjykatës Speciale duhet të mbështetet në fakte dhe në respektimin e të drejtave ligjore, duke nënvizuar se “lufta e UÇK-së ishte një luftë për liri dhe për mbrojtjen e jetës së njerëzve, e jo për agresion ndaj askujt”. Sipas saj, kjo e vërtetë historike nuk mund të njolloset.
Gjatë qëndrimit në Hagë, ministrja shqiptare u takua gjithashtu me homologun holandez, David van Weel. Të dy ministrat nënshkruan një deklaratë të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dhe përforcimin e partneritetit europian mes dy vendeve.
Spiropali vlerësoi qasjen e Holandës për zgjerimin e Bashkimit Europian mbi bazën e meritës, duke e cilësuar atë në përputhje me mbështetjen që vendi mik i jep Shqipërisë në procesin e integrimit europian.






