Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shtëpia e Bardhë në Washington, D.C., ku u prit nga Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Donald Trump dhe Drejtor i Lartë për Europën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Takimi u përqendrua te thellimi i partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, si dhe te roli i ri i Shqipërisë si anëtare themeluese e Bordit të Paqes.

Sipas Spiropalit, përfaqësimi i vendit në këtë nismë rrit peshën e Shqipërisë në çështjet globale të sigurisë.
“Përfaqësimi nga Kryeministri Rama në këtë iniciativë fisnike të Presidentit Trump, përveçse e ripozicionon Shqipërinë si kontributore aktive në çështjet e sigurisë dhe paqes, i jep një tjetër përmasë bashkë-koordinimit me aleatin tonë historik, SHBA”, u shpreh ministrja.

Ajo theksoi se nisma synon rezultate konkrete në menaxhimin e konflikteve.
“Bordi i Paqes do të jetë në thelb Bordi i Veprimit, një iniciativë e orientuar nga parimet për zgjidhjen e qëndrueshme të konflikteve”, deklaroi Spiropali.

Ministrja bëri me dije gjithashtu se Shqipëria do të jetë në krah të SHBA-ve si anëtare inauguruese e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), në përputhje me planin 20-pikësh të Presidentit Trump për Gazën.
“Shqipëria është e nderuar të jetë në krah të SHBA si anëtare inauguruese e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, si një vend që eksporton stabilitet e siguri”, tha ajo.

Gjatë takimit u konfirmua edhe gatishmëria për zhvillimin e sesionit të dytë të Dialogut Strategjik, me synim thellimin e bashkëpunimit në sektorët ekonomikë, tregtarë, energjetikë dhe zhvillimorë.

Vizita vjen në një moment kur marrëdhëniet Shqipëri–SHBA konsiderohen kyçe për sigurinë rajonale dhe përfshirjen e vendit në iniciativa ndërkombëtare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu