
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, po zhvillon një vizitë zyrtare në Izrael, ku në ditën e dytë të qëndrimit u prit nga Ministri i Jashtëm Gideon Sa’ar dhe Kryetari i Kuvendit, Amir Ohana.
Gjatë takimit me homologun izraelit, Spiropali vlerësoi marrëdhëniet shumëdimensionale mes dy vendeve dhe nënvizoi se plani 20-pikësh i paqes i Presidentit amerikan Donald Trump përbën një mundësi të re për siguri dhe bashkëjetesë në Lindjen e Mesme.
“Të udhëhequr nga i njëjti angazhim për paqen, ne besojmë fuqimisht se plani i Presidentit Trump ka potencialin për të sjellë stabilitet të qëndrueshëm dhe për të nxitur bashkëjetesën paqësore midis izraelitëve dhe palestinezëve. Le të shënojë ky moment një kapitull të ri – jo vetëm për Izraelin, por për të gjithë rajonin”, u shpreh Spiropali.
Ajo rikujtoi edhe trashëgiminë morale dhe historike të Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e quajtur “një trashëgimi të njerëzimit që jeton ende sot”.
“Të udhëhequr nga kodi ynë i përjetshëm i ndershmërisë, Besa, strehuam çdo familje hebraike që kërkoi mbrojtje mes nesh. Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë ku popullsia hebraike u rrit gjatë Holokaustit”, tha ajo.
Ministrja falenderoi gjithashtu Izraelin për njohjen e Republikës së Kosovës dhe shprehu besimin se marrëdhëniet mes dy vendeve do të thellohen më tej.
Spiropali theksoi se bashkëpunimi Shqipëri–Izrael po zgjerohet në fusha si inovacioni, arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe turizmi, duke vlerësuar përvojën izraelite në teknologji dhe zhvillim shkencor.
Gjatë takimit u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi që parashikon shkëmbime në fushën e diplomacisë publike dhe trajnimin e diplomatëve të rinj.
Në takimin me Kryetarin e Kuvendit të Izraelit, Amir Ohana, Spiropali rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj iniciativave që promovojnë stabilitetin dhe paqen në rajon.
“Le të ndërtojmë më shumë ura, më shumë partneritete dhe më shumë mundësi për të rinjtë, novatorët, artistët dhe sipërmarrësit tanë,” përfundoi Spiropali.