Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar pas zhvillimeve në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku Prokuroria paraqiti propozimet për dënime ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në një deklaratë zyrtare, Spiropali theksoi se Shqipëria po i ndjek me “shqetësim të thellë” këto zhvillime, duke ngritur pikëpyetje mbi proporcionalitetin e procesit, standardet e rregullta ligjore dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.

Sipas saj, fakti që paraburgimi ka kaluar pesë vjet pa një vendim përfundimtar ushqen perceptimin e një trajtimi të ashpër dhe potencialisht të njëanshëm, veçanërisht kur krahasohet me mënyrën se si janë trajtuar përgjegjësit e regjimit serb.

Spiropali nënvizoi se shumë krime të kryera ndaj civilëve në Kosovë mbeten ende pa përgjegjësi të plotë penale, duke paralajmëruar se pabarazia në ndjekjen e drejtësisë rrezikon të krijojë ndjesinë e standardeve të dyfishta dhe të dëmtojë besimin te drejtësia ndërkombëtare.

Ajo shtoi se drejtësia duhet të jetë e paanshme, e mbështetur në prova të pakontestueshme dhe pa krijuar perceptimin e trajtimeve selektive ndaj palëve të përfshira në konflikt.

“Çdo proces gjyqësor duhet të ruajë dallimin midis përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës për liri”, theksoi Spiropali, duke kujtuar se UÇK-ja ishte një lëvizje çlirimtare që gëzoi mbështetje të gjerë ndërkombëtare përballë një regjimi që ushtroi dhunë sistematike dhe spastrim etnik.

Sipas saj, gjykata ka një përgjegjësi të veçantë për të garantuar që qasja e Prokurorisë të mos prekë padrejtësisht luftën çlirimtare, historinë e pavarësisë dhe dinjitetin e atyre që luftuan për liri.

Në përfundim, Spiropali deklaroi se Shqipëria riafirmon se drejtësia duhet t’i shërbejë së vërtetës dhe pajtimit, jo narrativave që rishkruajnë historinë. Ajo theksoi rëndësinë që procedurat të përmbyllen brenda një afati të arsyeshëm dhe me respekt të plotë për standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë.

Republika e Shqipërisë, shtoi ajo, do të vijojë ta ndjekë me vëmendje procesin dhe mbetet e përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës, drejtësisë ndërkombëtare dhe dinjitetit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu