
Spanja njoftoi se vera e vitit 2025 ishte më e nxehta në histori për këtë vend të Evropës jugore, i cili, si e gjithë zona e Mesdheut, po goditet rëndë nga ndryshimet klimatike, sipas AP.
Shërbimi kombëtar i motit “AEMET” njoftoi se vendi kishte një temperaturë mesatare prej 24.2°Celcius midis 1 qershorit dhe 31 gushtit, niveli më i lartë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1961. Rekordi i mëparshëm ishte regjistruar në vitin 2022 me 24.1°C.
Kjo verë ishte gjithashtu 2.1°Celcius më e nxehtë se mesatarja kombëtare për periudhën 1991-2020.
Temperatura më e lartë ditore, 45.8°Celcius, u regjistrua më 17 gusht në Jerez de la Frontera, në jug të vendit, gjatë një vale të nxehti që përfshiu vendin.
Sipas Kombeve të Bashkuara, rajoni i Mesdheut po ngrohet 20% më shpejt se mesatarja globale.
Gjatë muajve të nxehtë, natyra spanjolle u dogj nga zjarret.
Një sipërfaqe rekord prej 38 000 hektarësh u shkatërrua nga flakët, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 306 000 hektarësh të regjistruar në vitin 2022, sipas të dhënave të Sistemit Evropian për Informacion mbi Zjarret në Pyje (EFFIS).
Shërbimi i motitshtoi se vera ishte veçanërisht e thatë, sidomos në rajonet veriperëndimore ku zjarret shkaktuan më shumë dëme.
Europa po ngrohet dy herë më shpejt se mesatarja globale që nga vitet 1980, sipas Shërbimit Evropian për Ndryshimet Klimatike Copernicus.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po rrisin frekuencën dhe intensitetin e nxehtësisë dhe thatësisë, veçanërisht në jug të Evropës, duke e bërë rajonin më të ndjeshëm ndaj problemeve shëndetësore dhe zjarreve.
Shkaku kryesor i ndryshimeve klimatike mbetet djegia e lëndëve djegëse fosile, si benzina, nafta dhe qymyri./atsh