
Ish-kryeministri dhe kreu i PD-së Sali Berisha është thirrur nga SPAK të paraqitet më 10 qershor (nesër), ora 10:00, për të dhënë shpjegime në lidhje me një kallëzim të bërë nga gjyqtarja Irena Gjoka. Lajmi është konfirmuar nga avokati i tij, Genc Gjokutaj, i cili ka publikuar edhe shkresën e SPAK.
Sipas avokatit Genc Gjokutaj, arsyeja e thirrjes është një kallëzim i depozituar nga gjyqtarja Irena Gjoka, të cilën ai e përmend me ironi si “Irena + mbiemra 3 copë”.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Gjokutaj e cilëson këtë veprim si pjesë e një praktike të njohur në drejtësinë shqiptare.
“Nesër ne orën 10.00 SPAK ka thirrur Dr. Berishën per te dhënë shpjegime ne lidhje me një kallëzim qe Gjyqtarja Irena + mbiemra 3 copë ka depozituar! Historikisht keshtu ndodh rëndom me Drejtësinë shqiptare: Hajduti bërtet kapeni hajdutin”, shkruan në Facebook, avokati Genc Gjokutaj.
Urdhri përcakton se Berisha duhet të paraqitet personalisht në ambientet e SPAK, pranë hetuesit të BKH-së, Ardrit Neli, duke sjellë me vete një dokument identifikimi. Urdhri bazohet në nenin 312 të Kodit të Procedurës Penale, që rregullon paraqitjen e detyruar të një personi për hetime.
SPAK thekson se në rast të mosparaqitjes pa një arsye të ligjshme, do të urdhërohet shoqërimi i detyruar i personit të thirrur./Panorama