
Kjo kërkesë vjen në rezolutën e kuvendit miratuar sot në komisionin e ligjeve me votën e socialistëve dhe votën kundër të anëtarëve demokrat. Në rezolutë për masat e sigurisë dhe punën e BKH-s thuhet.
“Të bëhen përpjekje për unifikimin/standartizimin e metodologjisë së hetimit, lidhur me marrjen e provave dhe masat e sigurisë etj bazuar edhe në vendimet njësuese të Gjykatës së Lartë, vendimet e Gjykatës kushtetuese si dhe vendimet e GJEDNJ-së. Rritjen e efikasitetit institucional të Byrosë Kombëtare të Hetimit në zbatim të përcaktimeve të ligjit organik përmes plotësimit të vakancave dhe sigurimit të kushteve të nevojshme logjistike për funksionim të plotë të strukturës”.
“Ngritjen e një grupi pune në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Përgjithshme, SHISH dhe agjencitë e tjera ligj zbatuese për përgatitjen e një analize për Grupet e Krimit të Organizuar aktive në aktivitetin e tyre brenda e jashtë vendit dhe strategjinë e thellimit të luftës të luftës kundër tyre”.
Megjithëse deputetët e opozitës duke marrë shkas nga raporti ODIHR kritikuan taskforcën hetimore të zgjedhjeve, në rezolutë kuvendi i kërkon SPAK të tregojë arritjet e task forcës e cila u vu në veprim gjatë zgjedhjeve të 11 Majit.
“Në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe KQZ të zhvillojnë një analizë të përbashkët mbi zbatimin e Strategjisë për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve Zgjedhore për zgjedhjet e vitit 2025 dhe masat ligjore e institucionale që mund të ndërmerren për të garantuar integritetin e proceseve zgjedhore dhe për të parandaluar e ndëshkuar çdo shkelje të ligjit në këtë fushë”.
Kuvendi inkurajon SPAK të avancojë me sekuestrimin e pasurive të krimit të organizuar.
“Zgjerimin e përdorimit të teknologjive të avancuara për gjurmimin e pasurive dhe rrjeteve financiare për çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vijimin e përpjekjeve për rritjen e kapaciteteve teknike dhe logjistike për hetimet financiare, hetimin e krimeve kibernetike dhe pastrimit të parave, përfshirë kriptovalutat edhe përmes trajnimeve të specializuara dhe bashkëpunimit më të ngushtë me Europol dhe EMPACT”.
Diskutimin e projekt rezolutave për organet e drejtësisë opozita e përdori për të amplifikuar çfarë thoshte një ditë më parë raporti OSBE-ODIHR.
“Raporti OSBE/ODIHR, kritikë të pastër për SPAK, prokurorinë, shërbimin civil, një raport i radhë në natyrën e vet, i jashtëzakonshëm sjell një situatë katastrofale, rezolutat jo në përputhje me situatën”
Por socialistët mendojnë ndryshe.
“Përmendet vetëm SPAK pozitivisht jo organet e tjera“-u shpreh Ermal Elezi.
Ndërsa Tedi Blushi i Partisë së Lirisë e quajti rezolutën për SPAK si një tallje.







