Tiranë, 10 shtator 2025 – Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, duke i çuar dosjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.

Sipas njoftimit zyrtar, Veliaj përballet me 13 akuza penale, ndërsa bashkëshortja e tij me 12 akuza, kryesisht të lidhura me korrupsion, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe fshehje pasurie.

Akuzat kryesore ndaj Erion Veliajt

Korrupsion pasiv në bashkëpunim me kompani ndërtimi dhe OJF të ndryshme.

Pastrim i produkteve të veprës penale, në më shumë se një rast.

Refuzim dhe deklarim i rremë i pasurisë.

Shpërdorim detyre.

Futja e sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Akuzat ndaj Ajola Xoxës

Korrupsion pasiv në disa raste, në bashkëpunim me subjekte private dhe OJF.

Pastrim parash dhe fshehje të ardhurash, përfshirë përdorimin e OJF-ve të kontrolluara prej saj.

Shmangie të detyrimeve tatimore dhe blerje të dyshimta në vlera shumë të larta.

Nga hetimet, SPAK thotë se ka provuar se Veliaj dhe Xoxa kanë marrë përfitime të parregullta monetare dhe pasuri të paluajtshme, në këmbim të lejeve të ndërtimit dhe fondeve publike të shpërndara nga Bashkia e Tiranës. Vetëm nga shpenzimet online të Ajola Xoxës, është zbuluar një shumë prej mbi 86 milionë lekësh për veshje dhe mallra luksi.

Përfshirja e kompanive dhe OJF-ve

Në dosje janë përfshirë gjithashtu 10 persona të tjerë fizikë dhe 11 subjekte juridike – kompani ndërtimi dhe organizata jofitimprurëse – të akuzuara për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Mes tyre figurojnë emra të njohur si “Fusha” shpk, “Kontakt” shpk, “Palushi” shpk, “Agi Kons” shpk, si edhe OJF-të “Muza”, “Eventus”, “BYL-A”, “Frobolous” dhe “Harabel”.

Çështja në Gjykatë

SPAK thekson se ka administruar prova të mjaftueshme që tregojnë se Veliaj, në cilësinë e kryebashkiakut, ka miratuar fondet publike që më pas kanë përfunduar në llogaritë e kompanive dhe OJF-ve të lidhura me bashkëshorten e tij dhe individë të afërt me çiftin.

Me përfundimin e hetimeve, çështja tashmë i kalon Gjykatës së Posaçme, e cila do të vendosë për fatin e kryebashkiakut të Tiranës, bashkëshortes së tij dhe dhjetëra personave të tjerë të përfshirë në dosje.

Ky është një nga proceset më të bujshme të viteve të fundit, i cili pritet të ketë jehonë të madhe politike dhe juridike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu