Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka refuzuar kërkesën e anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës për miratimin e një lejeje të përkohshme për kryebashkiakun Erion Veliaj, me qëllim pjesëmarrjen e tij në mbledhjen për diskutimin dhe miratimin e buxhetit të Bashkisë për vitin 2026.

Në një përgjigje zyrtare, e firmosur nga dy prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Ols Dado, SPAK argumenton se dhënia e lejeve të posaçme miratohet vetëm në raste të veçanta, kur të afërmit e personit nën hetim vuajnë nga sëmundje të rënda të vërtetuara me raport mjekësor, apo në raste ngjarjesh dhe fatkeqësish familjare.

Sipas prokurorëve, kërkesa e Këshillit Bashkiak nuk përmbush këto kritere ligjore dhe për këtë arsye nuk është miratuar.

Më herët, vetë kryebashkiaku Erion Veliaj i ishte drejtuar Këshillit Bashkiak përmes një letre, duke kërkuar që buxheti të mos miratohej pa praninë e tij në mbledhje.

Në kërkesën zyrtare të firmosur nga këshilltarët socialistë, theksohej se pjesëmarrja e kryebashkiakut në mbledhje përbën një detyrim ligjor të përcaktuar nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore. Sipas tyre, prania e Veliajt është e domosdoshme për të garantuar bashkëpunimin institucional me këshillin në çështje me interes publik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu