TIRANË, 18 janar 2026 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe autoritetet italiane, ka goditur një rrjet të mirëorganizuar mashtrimi kompjuterik, që operonte përmes Call Center-ave në Tiranë dhe mashtronte shtetas italianë e europianë për investime të rreme në kriptomonedha.

Operacioni, i regjistruar si procedim penal nr. 03/2026, çoi deri tani në 8 persona të arrestuar dhe 3 të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe viktimave.

Hetimi nisi nga “Le Iene”

Hetimi ka nisur pas materialeve të dorëzuara nga gazetarët italianë të emisionit investigativ “Le Iene” (Mediaset), të cilët dokumentuan nga brenda funksionimin e një Call Center-i në Tiranë. Një shtetas italian u infiltrua si punonjës, duke regjistruar aktivitetin mashtrues që zhvillohej në ambientet e “Atti Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodokse.

Sipas SPAK, Call Center-i operonte në katin e 9-të dhe të 13-të, me një strukturë të mirëorganizuar, role të ndara dhe staf që komunikonte në italisht, frëngjisht, spanjisht dhe gjermanisht.

Tentativë për zhdukjen e provave

Nga hetimet rezulton se organizatorët kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, përfshirë kamera dhe persona civilë vëzhgimi. Më 15 janar 2026, pas dyshimeve për një ndërhyrje të mundshme të autoriteteve, ambientet u boshatisën dhe pajisjet u larguan gjatë natës.

Falë ndjekjes në kohë reale, hetuesit e BKH-së identifikuan automjetet dhe personat që po transportonin pajisjet drejt një ambienti tjetër të marrë me qira në “Downtown One”, në Bulevardin “Bajram Curri”.

Call Center i dytë, në ndërtim

Në katin e 5-të të godinës “Downtown One”, u zbulua një Call Center i dytë, ende në ndërtim. Aty u sekuestruan:

qindra pajisje kompjuterike

telefona, laptopë, hard disqe

karta SIM

dokumente dhe blloqe shënimesh

sisteme monitorimi dhe serverë

U konstatuan gjithashtu përpjekje për asgjësimin e provave, përmes hedhjes së materialeve në mbeturina.

Arrestime dhe sekuestrime

Në flagrancë u arrestuan shtetasit me inicialet:
R.Gj., D.Q., E.Gj., E.M., R.P. dhe O.K.

Gjithashtu u ekzekutuan urdhra ndalimi për:
K.K. dhe H.XH.

Ndërkohë, tre persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Gjatë kontrolleve në 28 ambiente (banesa, zyra, automjete, garazhe), SPAK sekuestroi edhe:

automjete dhe motomjete

një Ferrari luksoz, që dyshohet se i përket organizatorëve

dokumente të subjektit “Infinite” shpk dhe subjekteve të tjera në verifikim

SPAK: Hetimet vijojnë, thirrje qytetarëve

SPAK njofton se hetimet vijojnë për analizimin e pajisjeve, identifikimin e viktimave dhe ndjekjen e transaksioneve në kriptomonedha, në bashkëpunim me autoritetet e huaja.

Prokuroria falënderon Policinë e Shtetit dhe në mënyrë të veçantë emisionin “Le Iene”, ndërsa u bën thirrje qytetarëve dhe punonjësve të Call Center-ave të mos bëhen pjesë e veprimtarive të paligjshme, duke paralajmëruar se fenomeni i mashtrimeve online do të jetë prioritet i hetimeve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu