Eksperti i sigurisë, Ervin Karamuço, analizoi përdorimin e platformave Sky dhe EncroChat, duke i krahasuar ato me “kafene ku bëhen thashetheme, mburrje dhe gënjeshtra.” Ai argumentoi se komunikimet mes bandave në këto platforma nuk mund të konsiderohen prova pa lidhje me fakte konkrete.
“SPAK ndodhet në një pozicion delikat. Politika përdor çdo detaj të dosjeve për të ushtruar presion, por prokuroria duhet të dallojë qartë mes dyshimeve dhe provave,” theksoi Karamuço.
Në një debat në Euronews Albania, Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci,bëri thirrje për më shumë transparencë nga SPAK, duke kërkuar një metodikë të qartë për hetimin dhe kryqëzimin e provave nga dosjet e Sky dhe EncroChat-it. “SPAK duhet të sqarojë nëse këto hetime do të shërbejnë për të marrë persona të pandehur apo vetëm për retorikë politike,” tha ai.
Ndërsa gazetari Flogert Muça e cilësoi situatën si “komike,” duke theksuar se Sali Berisha po përdor argumentet e Lulzim Bashës për të sulmuar Taulant Ballën.
Debati nxorri në pah sfidat e SPAK-ut për të balancuar transparencën me presionet politike dhe publike.