SPAK ka vendosur të pushojë hetimet ndaj kryebashkiakut të Hasit, Miftar Dauti, i cili ishte kallëzuar nga burime anonime për mosdeklarim të një dënimi politik në formularin e dekriminalizimit.

Prokurori Elvin Gokaj vlerëson se ky dënim, i marrë gjatë regjimit komunist, nuk ka asnjë vlerë juridike apo penale në rendin demokratik të sotëm.

Dauti ishte internuar së bashku me familjen në Berat në vitin 1986, në moshën 18-vjeçare. Në dosje thuhet se ai u dënua me 4 muaj burg pasi u largua nga vendi i internimit dhe refuzoi të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të asaj kohe – një akt që nuk përbënte krim sipas ligjeve të sotme.

Prokurori i çështjes sjell në vëmendje ligjin e vitit 1991, i cili shpall të pafajshëm të gjithë të dënuarit për krime politike gjatë diktaturës. Ai nënvizon se vendimet gjyqësore të regjimit komunist janë moralisht dhe juridikisht të pavlefshme në një shtet demokratik.

Hetimi ka përfshirë edhe verifikime ndërkombëtare përmes Interpol, ku është konfirmuar se Miftar Dauti nuk ka asnjë precedent penal tjetër në asnjë shtet.

Për rrjedhojë, SPAK ka mbyllur dosjen pa ngritur asnjë akuzë, duke nënvizuar se Dauti nuk kishte asnjë detyrim ligjor për të deklaruar një dënim të marrë nga një sistem politik që sot konsiderohet antikushtetues dhe tiranik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu