
Seanca paraprake ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë për në datën 17 nëntor, ndërsa SPAK ka kërkuar kalimin e dosjes në gjykim.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, mëson se gjatë seancës së sotme, prokurorët e posaçëm lexuan parashtrimet dhe kërkuan që çështja të kalojë për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.
Në seancën e ardhshme pritet që të jepen qëndrimet e palës mbrojtëse.
Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallë dhe u përfaqësua nga avokatët e tij.
Një dosje me 13 akuza për 5 vepra të rënda penale
Kjo seancë u zhvillua pas disa shtyrjeve të njëpasnjëshme që kanë shoqëruar procesin ndaj ish-kryebashkiakut të Tiranës.
Fillimisht ajo ishte planifikuar për 28 tetor, por u shty për shkak të kërkesave të mbrojtjes.
Më herët, më 10 tetor, seanca u shty për shkak të bojkotit të avokatëve pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ndërsa më 21 tetor u shty përsëri pas arrestimit të një avokati në Elbasan.
Një tjetër shtyrje kishte ndodhur më 29 shtator, për shkak të mosnjoftimit të disa prej të pandehurve.
Sipas burimeve nga SPAK, mbi Veliajn rëndojnë 13 akuza që lidhen me pesë vepra të rënda penale, përfshirë:
Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, në disa raste të lidhura me kompani si Agi Kons, Fusha, Palushi, Gerard-A, Kontakt, Eventus, Muza, BYL-A dhe Frobolous;
Pastrimi i produkteve të veprës penale;
Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit;
Mosdeklarimi ose deklarimi i rremë i pasurisë;
Shpërdorimi i detyrës.
SPAK kërkon gjykim të plotë
Prokuroria e Posaçme ka deklaruar se ka përfunduar hetimet dhe se provat e mbledhura “përbëjnë bazë të mjaftueshme ligjore” për ta çuar dosjen në gjykim.
Në seancën e 17 nëntorit, Gjykata e Posaçme (GJKKO) pritet të vendosë nëse do ta kalojë ose jo çështjen në fazën gjyqësore.




