Pesë anëtarë të Partisë Demokratike në Këshillin e Mandateve i janë drejtuar me shkresë kryetarit të Kuvendi i Shqipërisë, duke kërkuar mbledhjen urgjente sot të Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Kreu i grupit parlamentar të PD dhe deputetët shkuan sot në kryesinë e Kuvendit dhe sipas tij i gjetën sallat mbyllur duke i pamundësuar mbledhjen. Bardhi tha se godina është kthyer në bunker të Ballukut. “Nuk është çudi që në një nga sallat që ka mbyllur të jetë strehuar Gys Agasi” u shpreh Bardhi para gazetarëve.

Kjo është kërkesa e dytë që opozita i drejton drejtuesit të Kuvendit. Nga ana tjetër, përfaqësues të shumicës socialiste kanë deklaruar se shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme nuk do të bëhet përpara se të shprehet Gjykata Kushtetuese lidhur me çështjen e pezullimit të anëtarit të qeverisë.

Deputetët demokratë theksojnë se SPAK ka kërkuar që çështja të shqyrtohet brenda 3–5 ditëve, për shkak të rrezikut që, sipas prokurorisë, zv.kryeministrja mund të prishë prova apo të intimidojë dëshmitarë. Në shkresën drejtuar Kuvendit, opozita citon se gjatë mbledhjes së 19 dhjetorit 2025, SPAK ka paraqitur të dhëna të mbledhura me metoda speciale hetimi, ku pretendohet se Balluku ka ndërhyrë në procesin hetimor.

Në fakt dita e sotme është shpallur ditë zyrtare pushimi nga qeveria . Kjo nuk është hera e parë që opozita i drejton Kuvendit një kërkesë për shqyrtimin e çështjes së imunitetit.

Ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar prerazi pak ditë më parë se Kuvendi nuk do ta shqyrtojë kërkesën e SPAK-ut pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese për çështjen e pezullimit të zv.kryeministres, seancë e cila pritet të mbahet më 22 janar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu