Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë pretencën për ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja dhe të pandehurit Altin Hajri e Ahmet Masha, të akuzuar për rrjedhje informacioni sekret dhe korrupsion në zgjedhje.

SPAK ka kërkuar 3 vite burg për Jurgis Çyrbjen, ndërsa me përfitim nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i tij mund të ulet në 2 vite heqje lirie. Po aq ka kërkuar Prokuroria edhe për Altin Hajrin, i akuzuar për korrupsion në zgjedhje dhe përkrahje të autorit të krimit. Edhe ai, nëse dënohet, do të përfitojë nga ulja e një të tretës së dënimit.

Ndërkohë, për Ahmet Mashën, i akuzuar për tregim të sekretit shtetëror dhe përkrahje të autorit të krimit, SPAK kërkon 2 vite e 6 muaj burg, që me gjykim të shkurtuar zbret në 1 vit e 8 muaj.

Akuzat ndaj ish-deputetit socialist

Sipas SPAK, Jurgis Çyrbja akuzohet për një sërë veprash penale, mes të cilave:

  • “Tregim i sekretit shtetëror”, në disa episode,
  • “Përkrahje e autorit të krimit”,
  • dhe “Korrupsion aktiv në zgjedhje” gjatë fushatës së vitit 2021.

Hetimet kanë zbuluar se Çyrbja, gjatë kohës që ishte deputet, ka pasur marrëdhënie të ngushta me Altin Hajrin, një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale.

Në këmbim të mbështetjes elektorale dhe votave, Çyrbja dyshohet se i ka premtuar Hajrit ndikim tek strukturat e policisë dhe prokurorisë, duke konsumuar elementët e korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Nga ana tjetër, Altin Hajri, që ka pranuar këto favore, dyshohet se ka konsumuar elementët e korrupsionit pasiv në zgjedhje.

Hetimet dhe komunikimet e enkriptuara

SPAK ka zbuluar se tre të pandehurit – Çyrbja, Hajri dhe Masha – përdornin platformat e enkriptuara “SkyECC” dhe “Matrix” për të komunikuar dhe koordinuar aktivitete të paligjshme, përfshirë rrjedhje të të dhënave sekrete nga sistemi TIMS dhe informacione operative të policisë për personat në kërkim.

Në dosjen hetimore thuhet se informacionet sekrete janë transmetuar tek persona të shpallur në kërkim, me qëllim që ata të shmangnin arrestimin.

SPAK ka theksuar se hetimet kanë përfituar ndihmë nga autoritetet e drejtësisë franceze, holandeze, belge, Eurojust dhe Europol.

Dosja ndaj tre të pandehurve u dërgua për gjykim në korrik 2025, ndërsa pretenca u shpall sot në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu