
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ekzekutuar këtë të martë masat e sigurimit “arrest në burg” për 10 persona, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafik ndërkombëtar narkotikësh.
Masat janë caktuar nga Gjykata e Posaçme me vendimin nr. 124, datë 9.12.2025, në kuadër të procedimit penal nr. 9/2024, i regjistruar për vepra penale të kryera gjatë viteve 2020–2021.
10 të arrestuar, 4 në kërkim
Sipas SPAK, më 10.12.2025, Policia e Shtetit bëri të mundur arrestimin e: I. S. (alias X.), R. Rr., A. N. (alias L. S.), P. Rr., G. Rr., A. A. (alias Ç.), A. Gj. (alias I.), A. Q., J. Ç. dhe M. B.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim B. S. (alias X.), H. S. (alias X., alias L.), V. B., si dhe E. Sh., i cili ndodhet jashtë Shqipërisë. Disa prej tyre kanë qenë edhe më parë në kërkim ose të dënuar në mungesë për vepra të tjera penale.
Kontrolle dhe sekuestrime masive
Në kuadër të hetimit janë kryer 11 kontrolle banesash, automjetesh dhe personash, ku janë sekuestruar:
415 mijë euro
7 mijë dollarë amerikanë
1 milion lekë
11 telefona celularë
3 automjete luksoze (BMW X5, Range Rover, Volkswagen Golf 6)
1 armë zjarri Glock me 9 fishekë
1 jelek antiplumb
1 orë ROLEX
pajisje DVR dhe dokumente të ndryshme
Njëri nga të arrestuarit, M. B., u kap edhe në flagrancë, pasi iu gjet në banesë armë zjarri pa leje dhe është proceduar për veprën penale “mbajtje pa leje e armëve dhe municionit”.
Trafik nga Shqipëria drejt BE-së
Nga hetimet rezulton se grupi kriminal ishte i përfshirë në trafik droge:
nga Shqipëria drejt Malit të Zi, me destinacion final Gjermaninë
nga Shqipëria drejt Turqisë
nga Amerika e Jugut drejt Bashkimit Europian
Komunikimi mes anëtarëve të grupit kryhej përmes aplikacionit të enkriptuar SkyECC, të administruar nga autoritetet franceze.
Tre episode të mëdha trafiku
SPAK zbardh edhe tre episode kryesore:
3 nëntor 2020 – sekuestrimi i 1.722 kg marijuanë në Mal të Zi, e nisur nga Shqipëria për në Gjermani
23 nëntor 2020 – sekuestrimi i 475 kg kokainë në portin Vlissingen në Holandë, e ardhur nga Ekuadori
26 janar 2021 – sekuestrimi i 236 kg marijuanë në Turqi, me origjinë nga Shqipëria
Hetime me partnerë ndërkombëtarë
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë në Gjermani, Francë, Holandë, Belgjikë, Mal të Zi, Turqi dhe Ekuador, si dhe me Eurojust dhe Europol.
SPAK njofton se hetimet vijojnë, ndërsa thekson se çdo person prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
–






