SPAK ka refuzuar një vizitë monitoruese të kërkuar nga Komisioni i Përhershëm Parlamentar i drejtuar nga Fatmir Xhafaj, duke e cilësuar atë si një cenim të privatësisë institucionale.

Kërkesa kishte të bënte me një takim të planifikuar për më 6 shkurt 2026, ku do të diskutoheshin rezultatet e SPAK në luftën kundër pastrimit të parave. Megjithatë, institucioni i akuzës i tha “jo” këtij takimi, duke mbyllur derën për monitorimin parlamentar.

Gjatë mbledhjes së Komisionit për Nismat Qytetare, bashkëpunimin dhe mbikëqyrjen institucionale, kryetari Fatmir Xhafaj reagoi duke theksuar se vizitat monitoruese janë një praktikë e konsoliduar parlamentare dhe nuk përbëjnë ndërhyrje në drejtësi.

“Shqipëria është republikë parlamentare. Kuvendi, në ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese, shërben edhe si hapësirë e dialogut institucional ku ndërtohet mirëkuptimi ndërmjet pushteteve dhe konsolidohet kultura e bashkëpunimit institucional,” u shpreh Xhafaj.

Ai shtoi se normat dhe praktikat parlamentare nuk e konsiderojnë funksionin e mbikëqyrjes si ndërhyrje ndaj institucioneve të pavarura, duke nënvizuar se vizita të tilla janë zhvilluar edhe në legjislaturën e kaluar.

Debati mes SPAK dhe komisionit parlamentar pritet të rrisë tensionet institucionale mbi kufijtë e mbikëqyrjes dhe pavarësisë së drejtësisë, një çështje që mbetet thelbësore në funksionimin e shtetit të së drejtës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu