
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë kërkesë zyrtare për heqjen e imunitetit dhe dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetes, ministres dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas njoftimit, kërkesa është paraqitur në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, bazuar në nenet 73, 95 dhe 103 të Kushtetutës, nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit.
SPAK bën me dije se Belinda Balluku është marrë në cilësinë e të pandehurës, pasi akuzohet për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal. Akuza lidhet me procedurën e prokurimit për objektin “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.
Gjithashtu, Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim edhe për dyshimin e kryerjes së së njëjtës vepër penale në shtatë procedura të tjera prokurimi publik, konkretisht për projektet:
- “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja–Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
- “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, Loti 2”;
- “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri–Shkozë, urat mbi lumin Tirana”;
- “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
- “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
- “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
- “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
Kërkesa e SPAK ka për qëllim marrjen e autorizimit nga Kuvendi për vijimin e procedurave të mëtejshme ligjore ndaj zyrtares së lartë.
SPAK thekson se, në përputhje me parimin kushtetues, çdo person prezumohet i pafajshëm derisa fajësia të provohet me një vendim gjyqësor të formës së prerë.






