Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar emrin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku si person nën hetim për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.

Balluku është thirrur të paraqitet sot në ambientet e SPAK, e shoqëruar nga një avokat mbrojtës, por ende nuk dihet nëse ajo do të paraqitet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Ftesa për paraqitje mban firmën e prokurorit të posaçëm Dritan Prençi, i cili ka kërkuar që zëvendëskryeministrja të jetë e asistuar nga një avokat një praktikë që nënkupton se ndaj saj mund të komunikohet zyrtarisht një akuzë penale. Gazetarja Klodiana Lala raportoi në një lidhje live për News24 se zonja Balluku nuk është parë që të hyjë në ambientet e SPAK, dhe burimet thonë se ajo nuk do të paraqitet ditën e sotme. Ka parashtruar paraprakisht se ka një vizitë jashtë vendit. Në kushtet kur një funksionar i lartë shtetëror ka aktivitet të parashikuar, prokurorët e posaçëm duhet të firmosin një tjetër fletëthirrje, që duhet të paraqitet në një tjetër datë.

“Belinda Balluku është zyrtarisht nën hetim për shkelje të barazisë në tendera, për rastin e tunelit të Llogarasë. Hetimet kanë derivuar nga dosja e Evis Berberit. Në pranverë të këtij viti u arrestua Evis Berberi për disa akuza, ndër to edhe atë për korrupsion. Gjatë kontrollit në banesën e Berberit u sekuestrua celulari i tij, bashkëshortes dhe i përdorur më herët nga çifti. Janë gjetur të dhëna ku zbulohet se Balluku është e përfshirë në abuzime me tenderat. Në momentin kur zonjës Balluku do t’i komunikohet akuza, SPAK do të ketë edhe njoftim zyrtar për këtë çështje”, tha më tej gazetarja Klodiana Lala.

Belinda Balluku mban detyrën e zëvendëskryeministres që prej korrikut 2022, si dhe atë të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë që nga janari 2019.

© BalkanWeb

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu