Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mori leje nga SPAK që më 3 shkurt të mos paraqitet, për shkak të një vizite që ai do të zhvillojë në Gjermani.
Ish-kryeministri ka treguar për News24, se nuk kishte arsye pse atij t’i mohohej udhëtimi në Gjermani, ndërsa tha se “pas takimeve mund të shkojë në SPAK edhe dy ditë rresht”.
Berisha tha se ka marrë ftesë për të qenë pjesë e një aktiviteti në Gjermani dhe se do të takojë aktivistët dhe militantët.
Po ashtu kreu i PD tha se do të takohet me emigrantët në lidhje me procesin e regjistrimit për zgjedhjet e 11 majit.
“Kam një ftesë për të marrë pjesë në një aktivitet, shkoj për të takuar aktivistët dhe militantët tanë në lidhje me regjistrimet. Pra, janë një seri aktivitetesh”– tha Berisha.
Pyetja: A shënjon një moment paqeje midis jush dhe SPAK?
Berisha: Nuk shënjon sepse nuk ka asnjë motiv që unë të ndalohem të shkoj jashtë, se kjo do të ishte pastaj kufizim i lëvizjes jashtë. Jam gati të shkoj dy ditë rresht pas kësaj dite për konferencë. Nuk përtoj. Kam një aktivitet mediatik të hatashëm atje.
Kujtojmë se Berisha nuk do të paraqitet në SPAK më 3 shkurt, pasi GJKKO ka miratuar kërkesën e paraqitur nga avokatët e kreut demokrat për të mos u paraqitur.