Një operacion i gjerë i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbuluar një skemë të sofistikuar kontrabande me cigare, që përfshinte shtetas shqiptarë, të huaj si dhe punonjës të strukturave doganore. Hetimet kanë zbuluar se grupi kriminal ka vepruar përmes një fabrike cigaresh me regjim “fason”, duke keqpërdorur regjimin e “Përpunimit Aktiv” për të shmangur taksat doganore.

Sipas SPAK, subjekti “A.T” kishte marrë autorizimin për përpunim të lëndëve të para pa pagesë doganore, me qëllim eksporti. Por, në realitet, cigaret janë shpërndarë brenda Shqipërisë dhe më tej kontrabandoheshin në vendet fqinje dhe drejt Bashkimit Europian.

Hetimet tregojnë se në të paktën 30 raste, ngarkesat janë deklaruar për eksport me destinacion fiktiv, por janë shkarkuar brenda vendit, duke shmangur pagesën e detyrimeve doganore dhe tatimore për mallra akcize. Nëse skema do të kishte funksionuar në tërësi, humbja për BE-në vlerësohet të ishte mbi 2.8 milionë euro, ndërsa dëmi i konstatuar për buxhetin e shtetit shqiptar llogaritet në 366 miliardë lekë.

Në bazë të vendimit të Gjykatës së Posaçme të datës 27 maj 2025:

U caktua arrest me burg për pronarin dhe administratorin e fabrikës, si dhe disa shtetas të huaj (nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia dhe Britania e Madhe).

Masa e arrestit në shtëpi u vendos për një tjetër të dyshuar.

Punonjës të doganave janë vënë gjithashtu nën hetim – 9 prej tyre me masën “arrest me burg”, dhe 20 të tjerë me masa si ndalim i daljes jashtë shtetit dhe detyrim paraqitje.

SPAK thekson se veprimtaria kriminale ka qenë e mundur për shkak të bashkëpunimit të strukturave të korruptuara brenda sistemit doganor dhe abuzimit me sistemin “Asycuda World”, për të krijuar dokumentacion fiktiv të eksportit.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet e Britanisë së Madhe (NCA), Kosovës, Greqisë dhe Qipros, të cilat ndihmuan në sigurimin dhe ekzekutimin e kërkesave për ndihmë juridike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu