
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, çështja është regjistruar si procedim penal nr. 49/1 i vitit 2025, i ndarë nga procedimi penal nr. 49 i po këtij viti. Hetimet janë zhvilluar përmes metodave speciale hetimore, përfshirë përgjime telefonike, vëzhgime dhe veprime të tjera procedurale, që kanë zbuluar përfshirjen e të pandehurit në veprimtari të kundërligjshme gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Gjatë fushatës zgjedhore, sipas SPAK, Shkreli u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë në Bashkinë Vau Dejës, në këmbim të votimit për një subjekt të caktuar politik, konkretisht Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë.
Në njoftimin për shtyp thuhet gjithashtu se Shkreli ka shfrytëzuar nevojat e banorëve për ndërtimin e rrjetit të energjisë elektrike gjatë periudhës së fushatës elektorale, investim që është përdorur për të ndikuar në votën e qytetarëve në favor të subjektit politik që ai mbështeste.
SPAK thekson se çdo person prezumohet i pafajshëm deri në shpalljen e një vendimi gjyqësor të formës së prerë.







