Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë katër të pandehur, në kuadër të procedimit penal nr. 100/2020. Të pandehurit janë Dritan Stoka, Agim Osma, Alqi Hajdini dhe Ylli Baruti, të akuzuar për veprat penale të “Korrupsionit pasiv dhe aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” si dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj tyre”.

Nga hetimet rezulton se Dritan Stoka, ish-zyrtar në ASHK, dhe Agim Osma, ish-kryeplak i Saukut, kanë ndikuar në mënyrë të paligjshme përmes premtimit apo dhënies së favoreve në këmbim të votës gjatë fushatës së zgjedhjeve vendore 2019. Ata kanë ushtruar presion për mënyrën e votimit dhe kanë premtuar përfitime si leje legalizimi dhe mbajtje në punë.

Ndërkohë, Alqi Hajdini, ish-jurist në ALUIZNI dhe ASHK Tirana Jug, së bashku me Ylli Barutin në rolin e ndërmjetësit, akuzohen se kanë ndikuar në dhënien e lejeve të legalizimit për disa qytetarë në këmbim të përfitimeve të paligjshme monetare.

SPAK njofton se hetimet po vijojnë edhe për persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet korrupsioni, të cilët po trajtohen në një procedim të veçantë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu