Prokurorët e Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) deklaruan në mbledhjen me dyer të mbyllura të Këshillit të Mandateve se me akuzat e reja, Belinda Balluku rrezikon deri në 35 vite burg.

Sipas prokurorëve, në fazën e parë të masave të kërkuara, Balluku rrezikonte deri në 10 vite burg, por situata e saj procedurale është rënduar pas paraqitjes së provave të reja.

> “Në masat e para të kërkuara znj. Balluku rrezikonte deri në 10 vite burg; sot që flasim situata e saj është rënduar, dhe me akuzat e prokurorisë në këtë moment znj. Balluku rrezikon deri në 35 vite burg”, kanë deklaruar prokurorët gjatë mbledhjes.

 

Akuza për intimidim dëshmitarësh

Gjatë raportimit në Këshillin e Mandateve, prokurorët kanë bërë me dije se janë konstatuar fakte të tjera penale, përfshirë:

Intimidim të dy dëshmitarëve më 20 nëntor 2025, me qëllim ndryshimin e dëshmisë;

Përfshirje të personave të konsideruar “të fortë”, të dyshuar si elementë të krimit të organizuar, të cilët sipas prokurorisë kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të Ballukut.

Sipas deklarimeve në mbledhje, janë paraqitur edhe transkripte bisedash si prova.

Zyrtar nga kabineti i ministres nën hetim

Prokurorët kanë deklaruar gjithashtu se një zyrtar publik nga kabineti i ministres ka tentuar të kërcënojë dhe të korruptojë dëshmitarë.

> “Intimidimi ka ndodhur edhe nga zyrtar publik, kabineti i ministres, që ka kërcënuar apo tentuar t’i korruptojë dëshmitarët. Nuk japim më shumë të dhëna sepse e kemi nën hetim dhe mbrohet nga sekreti hetimor”, kanë theksuar prokurorët.

 

Qëndrimi i mbrojtjes

Sipas informacioneve të bëra publike gjatë diskutimeve, Balluku apo avokatët e saj nuk kanë ngritur pretendime për ndikim politik apo përndjekje politike nga prokuroria. Hetimi, sipas prokurorëve, nuk ka sfond politik.

Çfarë pritet?

Pas dëgjimit të prokurorëve, Këshilli i Mandateve pritet të hartojë një raport që do t’i dërgohet Kuvendit për votim më 5 mars, lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe masat e mëtejshme procedurale.

Zhvillimet në vijim do të përcaktojnë rrjedhën e hetimit dhe vendimmarrjen parlamentare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu