
Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, ka ngritur shqetësimin për përhapjen e dezinformimit dhe lajmeve të rreme gjatë fjalës së saj në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.
Spahiu iu referua një rasti konkret të ndodhur gjatë fundjavës, ku sipas saj është publikuar një lajm plotësisht i pavërtetë dhe pa asnjë fakt, që ka vendosur në shënjestër familjarë të Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
“Gjatë fundjavës ishim dëshmitarë të një lajmi plotësisht të pavërtetë dhe pa asnjë fakt, i cili vendosi në shënjestër familjarë të Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS. Mediat që i servirën këto lajme, edhe pse u vunë në dijeni të së vërtetës, vijuan të përhapin shpifjet e hedhura nga Berisha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës,” u shpreh Spahiu.
Ajo e cilësoi situatën si të papranueshme dhe theksoi nevojën për gjetjen e mekanizmave ligjorë që raste të tilla të mos mbeten pa përgjegjësi.
“Është e papranueshme ajo që ndodhi. Duhet të gjenden mekanizma që raste të tilla të mbajnë përgjegjësi ata që orkestrojnë lajme të rreme, qoftë edhe penale,” theksoi Nënkryetarja e Kuvendit.
Spahiu nënvizoi se dezinformimi dëmton rëndë besimin e publikut dhe cilësinë e debatit demokratik, duke theksuar se institucionet duhet të reagojnë për të garantuar standarde etike dhe ligjore në hapësirën mediatike.






