
Me iniciativë të Kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sot në Klubin e Deputetëve mbahet takimi i liderëve me kryetarët e partive parlamentare që kanë grupe parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Siç është paralajmëruar, në takim do të diskutohen ligjet reformuese në sistemin e drejtësisë, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, zgjedhja e Avokatit të Popullit, si dhe mundësia e shfuqizimit të qeverisë teknike, krahas çështjeve të tjera që do të propozojnë pjesëmarrësit.
Nga partitë opozitare, pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar Dimitar Apasiev, kryetar i partisë “E Majta”, si dhe Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së. Po ashtu, pjesë e takimit do të jenë edhe Bilall Kasami nga koalicioni VLEN dhe Maksim Dimitrievski nga ZNAM.
Ndërkohë, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka refuzuar ftesën për pjesëmarrje në takimin e liderëve. Në një konferencë për shtyp më 8 janar, Filipçe deklaroi se nuk pranon diskutime për shfuqizimin e qeverisë teknike, duke akuzuar kryeministrin Mickoski se kërkon “alibi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme”.
Sipas Filipçes, qeveria teknike duhet të mbetet një garanci për zgjedhje të ndershme dhe një mekanizëm për parandalimin e abuzimit me institucionet shtetërore gjatë proceseve zgjedhore. Sa i përket reformave, ai theksoi se debati për ligjet reformuese duhet të zhvillohet në Kuvend, duke shtuar se LSDM do të mbështesë çdo zgjidhje cilësore.
Filipçe bëri të ditur gjithashtu se LSDM do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, nëse ato shpallen, pavarësisht refuzimit për të qenë pjesë e takimit të liderëve.
Takimi i sotëm pritet të shërbejë si një test politik për gatishmërinë e forcave parlamentare për kompromis mbi çështje kyçe që lidhen me reformat institucionale dhe proceset zgjedhore në vend.






