
Në News24 unë u rrita si gazetar.
Aty mësova çfarë do të thotë të jesh në terren kur tërmeti rrëzon shtëpi dhe njerëzit presin lajmin e parë.
Aty mësova çfarë do të thotë të raportosh nga protestat e opozitës, kur je mes policisë dhe qytetarëve.
Aty mësova të tregoj historitë e njerëzve të zakonshëm, të denoncoj padrejtësitë sociale, të flas për ata që nuk kanë zë.
News24 më dha besim. Më dha mundësinë të jem gazetar. Unë nuk punoj për një rrogë, punoj sepse këtë profesion e cilësoj mision. Dhe misioni nuk ka çmim. Kush më njeh, e di këtë. Sepse nëse një ditë nuk do ia dal dot nga ana financiare, do ta lë punën, sepse do të mbetet si mundësi, ta bësh dinjitetin pazar. Këtë s’do e pranoj asnjëherë.
Unë kam bërë kompromisin tim, sepse në 95% të televizioneve nuk të lejojnë të shprehësh mendimin tënd, as në rrjete sociale. Në News24 mund ta bëja.
Dhe sot, ju i kërkoni llogari News24 pse në kohë të caktuara ka pasur një politikë editoriale të caktuar?
Po t’i pyesësh ata që punojnë në media, ta thonë hapur: asnjë televizion në Shqipëri nuk mbijeton një ditë pa financa.
Reklamat i shpërndan qeveria. Bizneset i influencon qeveria në reklamat që shpërndajnë. Kujt biznesi ia mban të çojë një reklamë në një televizon, të cilin qeveria e cilëson “armik”?
Kështu funksionon tregu, dhe kush thotë të kundërtën, nuk po tregon të vërtetën.
Pastaj ky argumenti se pronari i News24, ka zënë një pronë shtetërore në Shkozë, dhe duhet ta lirojë, është qesharak. Kryeministri i vendit, do të ndërtojë në zonat e mbrojtura të Shqipërisë me ligj, e askush se tha një fjalë.
Pastaj shumica e mediave në Shqipëri kanë marrë pronë të shtetit me qira, dhe kanë paguar qiranë. Vetëm për godinën e Panorama TV, nga 2013, deri më tani, janë paguar 2.16 milionë euro.
Kjo nuk është një histori VKM-je, as kontrate, as qiraje. Këto janë instrumentet. Historia është se nëse t’i nuk je në rresht, unë të mbyll. Dhe ky është mesazh për të gjitha mediat e tjera. Autocensura është më e frikshme sesa vetë censura.
Prandaj, kur dikush më thotë: “News24 ka bërë mëkate”, i përgjigjem:
Po, si çdo media tjetër në këtë vend.
A kanë bërë mirë? Për mua jo. Sepse media që të bëj plotësisht funksionin e saj, në shërbimin të publikut, duhet të ndahet nga biznesi. Mos të ketë asnjë interes aty.
Por kush e bën këtë? Asnjë. Disa media kanë vendosur të rrinë në rresht. Disa të pranojnë ta vënë televizionin në dispozicion të qeverisë, se kështu marrin tendera, apo konçensione.
Të paktën News24, nuk mund t’ia thuash që ka marrë tendera publikë. Sepse asnjëherë se ka bërë.
Por sot, mbyllja e News24 nuk është ndëshkim për mëkatet, është dënim politik, se një individ kërkon që të gjitha mediat të kenë politikën editoriale të tij.
Unë nuk mbroj dhe kurrë s’do të mbroj një pronar. Ata mbohen vetë.
Unë mbroj News24, si zë, si media e cila gjatë 25 viteve i ka dhënë zë mijëra qytetarëve, mijëra kauzave, mijëra çështjeve sociale, mijëra padrejtësive, çështjeve korruptive, etj.
Nëse paska qënë një televizon i pabesueshëm, pse e mbanit aty stacionin, për të ndjekur ngjarje?
Pse lokalet nëpër Tiranë e Shqipëri, e mbajnë kanalin në News24?
Pse institucionet shtetërore e televizionet e tjera, e mbajnë stacionin tek News24? Sepse i besojnë profesionalizmit dhe vërtetësisë së lajmit, dhënë nga gazetarët.
Gazetarë, operatorë, montazhier, redaktorë, kryeredaktorë, teknikë, etj, rreth 230 në total, sot janë pa punë. 230 familje me kredi, me probleme shëndetësore, me fëmijë të vegjël, me qira, me fatura uji e dritash, sot janë hedhur në rrugë, pa menduar fare për ta.
Sot media më e madhe informative në vend është pa zë. Sot në Shqipëri është një media më pak. Kjo duhet ta shqetësojë demokracinë e një vendi.
Dhe kur një media mbyllet me forcë, nuk humbet vetëm ajo. Humbim të gjithë.
Lum ai që e kupton!