
Në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit po mbahen sot homazhet për regjisorin e madh Dhimitër Anagnosti, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.
Artistë, kolegë, figura të njohura të politikës, por edhe qytetarë të shumtë po i japin lamtumirën ikonës së kinematografisë shqiptare, trashëgimia e të cilit mbetet e pashlyeshme në kulturën kombëtare. Homazhet do të zgjasin deri në orën 13:00.
Dhimitër Anagnosti do të përcillet për në banesën e fundit në Vuno të Himarës, sipas amanetit të tij. Në nderim të figurës së tij, Këshilli i Ministrave ka shpallur 2 shtatorin Ditë Zie Kombëtare, ndërsa flamujt në të gjithë vendin janë ulur në gjysmështizë.
Ceremonia shtetërore zhvillohet në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve më të lartë të institucioneve dhe një minutë heshtje në orën 10:00, për të nderuar jetën dhe veprën e një prej personaliteteve më të mëdhenj të artit shqiptar.