
Sot shënohen 6 vite nga tragjedia e 26 Nëntorit 2019, tërmeti shkatërrues që i mori jetën 51 qytetarëve, mes tyre edhe fëmijë. Dhimbja e asaj nate të tmerrshme mbetet ende e gjallë në kujtesën e çdo shqiptari.
Tërmeti me magnitudë 6.4 goditi në orët e para të mëngjesit me epiqendër pranë Durrësit, duke shembur ndërtesa, duke lënë njerëz nën rrënoja dhe duke shkaktuar shkatërrim të paprecedentë. Mbi 14 mijë ndërtesa u dëmtuan ose u shembën, mijëra familje mbetën pa një çati, dhe dëmet ekonomike arritën në rreth 1 miliard euro.

Sot, 6 vite më pas, dhimbja për jetët e humbura nuk shuhet. Dhimbja për fëmijët, nënat, baballarët, familjet e tëra që u shuan në pak sekonda është po aq e fortë sa ditën e tragjedisë.
View this post on Instagram
Por përveç kujtimit, sot është edhe një ditë reflektimi. Dhjetëra qytetarë ende nuk kanë një banesë. Rindërtimi, megjithëse është cilësuar si “projekti më i madh pas luftës”, për shumë familje mbeti rrugëve. Ka ende njerëz që presin strehim, që jetojnë në kushte të përkohshme, që nuk e kanë marrë ende zgjidhjen e premtuar.

Në këtë përvjetor të zi, Shqipëria kujton viktimat, nderon të mbijetuarit dhe rikthen vëmendjen tek përgjegjësia institucionale për të mos lënë askënd pas. Tragedia e 26 Nëntorit është një plagë e thellë kolektive — dhe plagët nuk mbyllen duke i harruar, por duke u kujdesur për ata që vazhdojnë të vuajnë pasojat.







