
Aktorja legjendare Sophia Loren feston sot 91-vjetorin e lindjes. E lindur në Romë më 20 shtator 1934 dhe e rritur në Pozzuoli, Loren mbetet figura më e njohur italiane në kinemanë botërore, me dy çmime Oscar në karrierë.
Në moshën 16-vjeçare ajo u njoh me producentin Carlo Ponti, i cili u bë bashkëshorti dhe partneri i saj i jetës. Emri i saj i lindjes ishte Sofia Villani Scicolone, por në Hollywood u bë e famshme si “Sophia Loren”, një emër i zgjedhur për ta bërë më ndërkombëtare.
Loren ka ruajtur gjithmonë thjeshtësinë dhe lidhjen me familjen, duke qenë njëkohësisht simbol i bukurisë dhe elegancës italiane. Fotot e fundit të saj, të shpërndara pa dëshirën e saj, treguan një imazh më privat, larg shkëlqimit të skenës, por që dëshmoi humanitetin dhe natyrshmërinë e saj.
Në dekada karriere, Loren ka fituar dashurinë e publikut dhe të kolegëve. Miqtë e përshkruajnë si një grua karizmatike, me humor napolitan dhe personalitet unik. Sot ajo mbetet jo vetëm një aktore e madhe, por edhe një trashëgimi kulturore e Italisë dhe e kinemasë botërore.