
Këtë të hënë, 9 shkurt, është mbledhur në Kryesi që prej orës 10:00 grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
Siç raportohet, i pranishëm është kreu i qeverisë, Edi Rama, dhe Belinda Balluku, e pezulluar nga detyra si ministre dhe zv.kryeministre, me vendim të GJKKO-së.
Pritet të shohim se çfarë do të diskutojnë socialistët, ndërsa vlen të theksohet se vetëm 3 ditë më parë, Gjykata Kushtetuese nuk arriti dot të merrte një vendim lidhur me padinë e qeverisë për çështjen e Ballukut.
Ndarja 4 me 4 e gjyqtarëve, bëri që ankimimi të rrëzohej dhe të rikthehej në fuqi masa e “pezullimit nga detyra” për ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Teksa e cilësoi “shembull të një budallallëku botëror”, Rama e bëri të qartë se beteja ligjore për këtë rast do të vijojë, duke ritheksuar se “lajthitjet e drejësisë” kanë çuar në shifra alarmante sa i takon masave shtrënguese pa gjyq.
“Që të jemi shumë të qartë, pavarësisht se qartësia është një luks i rrallë, që vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve mediatike e politike, ministrja nuk akuzohet për korrupsion!
Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir qartja antidemokratike e vendimit për pezullimin e një anëtari qeverie, e ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Kushtetueses për të marrë një vendim të thjeshtë, dhe një vendim po aq të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht, me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje, vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë”, deklaroi ai dje gjatë podcast-it të tij, 8 shkurt.
Kjo mbledhje, që në fakt është e përjavshme, zhvillohet para vizitës së kryeministrit në Bruksel, ku pritet të takojë Antonio Costa-n, Presidentin e Këshillit Europian.






