
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në panelin e liderëve të Forumit Strategjik të Bledit, ku u zhvillua një diskutim mbi sfidat dhe perspektivat e zgjerimit të Bashkimit Europian. Në panel ishin gjithashtu Komisionerja për Zgjerim e BE-së Marta Kos, Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenković, Kryeministri i Sllovenisë Robert Golob dhe Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajić, me moderatore Nathalie Tocci, Drejtuese e Istituto Affari Internazionali.
Rama theksoi se Shqipëria po ecën me vendosmëri në procesin e anëtarësimit, duke u përqendruar tek përmbushja e piketave dhe kritereve të vendosura nga Komisioni Europian. Ai u shpreh se objektivi është përfundimi i negociatave teknike deri në vitin 2027, duke e cilësuar këtë proces si një instrument të rëndësishëm të shtetndërtimit dhe forcimit të institucioneve.
“Kemi objektiva të qarta të hedhura në tryezë nga Komisioni që na sfidojnë të realizojmë të gjitha piketat dhe të gjitha kriteret, për t’i përmbyllur negociatat deri në 2027-ën. Pra, këtë po bëjmë, pikërisht këtë: po shtyjmë, po ecim përpara,” tha Rama.
Në diskutim, ai theksoi se për Shqipërinë anëtarësimi në BE nuk është thjesht një qëllim politik, por një proces transformues, që sjell dije dhe përvojë mbi ndërtimin e institucioneve, duke e krahasuar me vende që nuk kanë arritur të ndërtojnë struktura funksionale përmes ndërhyrjeve të jashtme.
Kryeministri shqiptar u shpreh se mbështetja e popullit shqiptar për integrimin europian është e jashtëzakonshme, ndërsa vuri në dukje se BE-ja duhet ta shohë zgjerimin me Ballkanin Perëndimor si një forcim të vetvetes, duke mbyllur boshllëqet që mund të krijojnë pasiguri gjeopolitike.
“Po të bëhet Shqipëria pjesë e BE-së, nuk është zgjerim, është mbyllja e një hapësire të brendshme. Ne sjellim optimizëm, rini, energji dhe një dëshirë të fortë për jetë,” nënvizoi Rama.
Nga ana tjetër, Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, përmendi ecurinë e mirë të Shqipërisë në hapjen dhe mbylljen e kapitujve, duke theksuar se BE-ja ka përshpejtuar procesin në muajt e fundit dhe se objektivi i anëtarësimit deri në vitet 2028–2029 është realisht i arritshëm.
Forumi i Bledit mblodhi këtë vit liderë e personalitete ndërkombëtare për të diskutuar mbi sfidat globale dhe rolin e Europës në to, ku integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor ishte një nga temat kryesore.