
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si drejtësia shqiptare po përdor të dhënat e përgjimeve masive SKY ECC dhe EncroChat, duke e cilësuar këtë praktikë si drejtësi me dy standarde dhe në kundërshtim të hapur me jurisprudencën evropiane.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Manjani thekson se gjykatat penale në Itali, Spanjë (Valencia), Zvicër, Gjermani, SHBA, Bosnje, Kroaci dhe Mal të Zi kanë vendosur mospërdorimin e këtyre të dhënave si prova, për shkak të burimit të paqartë ligjor dhe shkeljes së nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton procesin e rregullt ligjor.
Sipas tij, ndryshe nga praktika perëndimore, SPAK dhe gjykatat shqiptare vijojnë t’i përdorin këto të dhëna për ndjekje penale, duke anashkaluar të drejtën e mbrojtjes, barazinë e palëve dhe standardet evropiane të provës.
“Burim i paqartë dhe manipulim i të dhënave”
Manjani shpjegon se të dhënat e SKY ECC dhe EncroChat janë përftuar nga një përgjim masiv i Xhandarmërisë Franceze, në bashkëpunim me policitë belge dhe holandeze, ndërsa më pas, sipas tij, janë përpunuar nga disa struktura policore dhe institucionale, përfshirë Europol dhe Eurojust.
“Kush ka mundur, i ka futur duart aty”, shprehet Manjani, duke theksuar se të dhënat origjinale dhe mënyra e marrjes së tyre mbahen sekret shtetëror nga Franca, çka i bën ato të papranueshme si prova penale në gjykatat perëndimore.
Ai shton se gjykatat italiane dhe spanjolle nuk janë bindur për autenticitetin, saktësinë dhe vërtetësinë e këtyre të dhënave, duke i rrëzuar ato në mënyrë unanime.

Akuza ndaj SPAK dhe gjykatave shqiptare
Sipas Manjanit, në Shqipëri po ndodh e kundërta:
- të dhënat e SKY ECC janë publikuar në media për “gjyq popullor”;
- ndërkohë që mbrojtjes i është kundërvënë ligji i sekretit;
- gjykatat shqiptare, sipas tij, justifikohen me shprehjen: “I di SPAK-u këto punë”.
“Nuk dënohen njerëz me thashetheme bisedash, aq më tepër jo me të dhëna joautentike dhe me personazhe që nuk identifikohen shkencërisht përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”, thekson Manjani, duke shtuar se këtë nuk e thonë avokatët, por vetë gjykatat e Perëndimit.
Apel në kontekstin e integrimit në BE
Manjani nënvizon se neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut vlen njësoj edhe për shtetasit shqiptarë, sidomos në një kohë kur Shqipëria ndodhet në negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Meqë jemi në negociata me BE-në, atje këto të dhëna konsiderohen shkelje e nenit 6 nëse përdoren në gjyq”, shkruan ai, duke akuzuar SPAK-un se po ndjek një rrugë “krejt pa ligj e krejt pa prova”.



