
Në një Tiranë ku normaliteti shpesh duket si absurd, një e moshuar 82-vjeçare, zonja Irini, është gjobitur me 10 mijë lekë sepse ushqen macet e lagjes. Sipas Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit në Bashkinë e Tiranës, “ndotja akustike” e shkaktuar nga lehjet apo miaukimet e maceve përbën shqetësim për rendin publik.
Por ironia nuk mbaron këtu. Në të njëjtat rrugë ku Irini ndan pak bukë me krijesat e braktisura, çdo natë motorë të modifikuar shpërthejnë në garë deri në agim. Nën ballkonet ku jeton ajo, grupime të rinjsh bërtasin, dëgjojnë muzikë me volum maksimal dhe tymosin hashash në qetësinë e lagjeve që askush nuk kujtohet t’i mbrojë.
Mesa duket, në Tiranën tonë të përmbysur, një plakë që ushqen një mace është problem sigurie, ndërsa një shesh i mbushur me motorra pa susta dhe zëra që përplasen me fasadat e pallateve është “atmosferë qytetarie”.
Sipas gazetares, Anila Hoxha, Zonja Irini nuk ka pranuar të paguajë gjobën dhe ka ngritur padi në Gjykatën Administrative, sepse sipas avokates së saj, nuk ekziston asnjë ligj që ndalon mbajtjen apo ushqimin e kafshëve, e aq më pak që e përkufizon dashurinë për ta si kundërvajtje administrative.
Tani çështja pret vendimin e gjykatës, ndërsa qyteti vazhdon të heshtë përballë zhurmës së vërtetë dhe të ndëshkojë ata që guxojnë të jenë njerëzorë në një qytet që gjithnjë e më pak ka mbetur i tillë.