Prej disa javësh me mijëra qytetar shqiptar nuk marrin pakot me porosi që kanë bërë pranë kompanisë ndërkombëtare AliEkspress. Edhe pse qytetarët e kanë bërë pagesën online për porosinë e tyre, pakoja nuk ju ka ardhur për shkak se kompanitë postare private në vend nuk ua kanë dorëzuar.
Deri para dy muajsh shërbimin postar për porositë nga Ali Ekspress e kishte vetëm Posta Shqiptare, e cila tashmë siç vetë Posta thotë nuk e ofron më këtë shërbim pasi e kanë marrë operatorë privat. Bëhet fjalë për kompaninë Albania Courier dhe Ultra C.E.P, të cilat tanimë po ofrojnë shërbimin e shpërndarjes së pakove tek qytetarët që kanë blerë në platformën Ali Express.
Albanian Courier sqaron për Report TV se ka vetëm një sasi të vogël pakosh nuk ka shpërndarë për shkak të dhënave të pasakta të porositësve/qytetarëve.
“Aktualisht Albanian Courier nuk ka dërgesa të AliExpress që ka krijuar ose po krijon vonesa, përveç një sasie shumë të vogël e cila ka mbetur pa shpërndarë për problematika me adresat ose kontaktet e gabuara nga klientët kur kane kryer porosite e tyre online dhe që po sqarohen për informacione të sakta”, përgjigjet kompania administratori i Albanian Courier.
Mbi këtë problematikë Report TV është interesuar edhe pranë Drejtorisë së Doganës, e cila thotë se nuk ka pako të pazhdoganuara nga Ali Express, por situata problematika me vonesa po ndodh për shkak se shërbimi i transportit po kalon nga Albania Courier tek postat tjetër Ultra C.E.P.
Vetë administratori i postës Albanian Courier Geri Piranjani, në përgjigje të Report TV, fajin e kalon tek operator të tjerë në treg përfshirë edhe Postën Shqiptare, që sipas tij ka kontraktuar AliExpress.
“Vonesat aktuale vijnë si rezultat i përdorimit të operatorëve postar të tjerë privat nga AliExpres. Si dhe ne dijeninë tonë Posta Shqiptare vijon të marre porosi ende nga AliExpress. Për me tej si do vijohet nuk kemi informacione konkrete, pasi ky është vendim i vetë tregtarit E-Commerce”, vijon përgjigja.
I pyetur nëse e kanë aktualisht një kontratë aktualisht me Ali Express për shërbimin e shpërndarjes së pakove Piranjani thotë se “Albanian Courier është nder operatoret kryesore te përzgjedhur prej AliExpress”.
Report TV tentoi të kontaktojë edhe me kompaninë tjetër Ultra C.E.P, që po ashtu së fundmi ka nisur shpërndarjen e pakove që vijnë nga jashtë, por askush nuk përgjigjet, duke e bërë të pamundur informimin e qytetarëve, dhe duke mos lënë asnjë akses për klientët, të cilët presin të tërheqin produktet e blera
Po ashtu postat private ndryshe nga Posta Shqiptare nuk lajmërojnë klientët me një mesazh që pako e tyre ka ardhur, duke i lënë ata në pritje pa afat.
Ndërkohë qytetarët kanë shprehur ankesa edhe me gjurmimin e porosive pasi kodet e porosive të bëra në Ali Express nuk dalin në faqen e postave.
“Kjo vërteton që këto dërgesa nuk kane ardhur ne Shqipëri për tu shpërndarë me posten Albanian Courier. Nëse kodi dërgesës klientit nuk del në faqen ëeb te Albanian Courier atëherë kjo dërgesë është sjellë për t’u shpërndarë ose me posten shqiptare ose me operatore tjetër postar privat, Ultra post, etj.”, thotë administratori Albanian Courier.
Në kushtet kur postat deklarojnë pafajësinë e tyre dhe e kalojnë përgjegjësinë tek konkurrentët, qytetarët që kanë shpenzuar lekët në këto porosi nuk kanë një përgjigje nëse do të marrin dhe kur do ti marrin produktet e blera./Shqiptarja.com