
Gjykata e Tiranës ka caktuar 8 masa sigurie ndaj personave të përfshirë në një skemë të dyshuar mashtrimi dhe falsifikimi me medikamentet e rimbursueshme. Në mesin e tyre është edhe Frigul Mullja, administrator i CFO pharma, i cili u dërgua në arrest me burg së bashku me Spartak Zeken, për akuzat e falsifikimit dhe fshehjes së të ardhurave.
Sipas prokurorisë, hetimet e nisi një kallëzim i administrorit të kompanisë “Medicamenta”, Ilir Shehu, importues i licencuar dhe i kontraktuar nga Fondi i Kujdesit Shëndetësor për rimbursimin e barnave. Shehu ka denoncuar se subjektet e përfshira, në bashkëpunim me punonjës të fondit, po kryenin veprimtari fiktive shit-blerjesh për produktet “Foster” dhe “Trimbow”, duke përfituar shuma të konsiderueshme nga rimbursimi.
Prokurori Ndini Tavani pretendon se janë paraqitur të dhëna të rreme për blerjet e barnave, është falsifikuar inventari dhe faturat, duke u ndërtuar një skemë mashtrimi me qëllim përfitimi financiar. Ndërkohë, përgjigjet e Drejtorisë së Hetimit Tatimor kanë konfirmuar se faturat e blerjes dhe shitjes nuk korrespondonin me njëra-tjetrën, duke provuar elementë të skemës së dyshuar të falsifikimit.
Për 5 persona të tjerë, gjykata vendosi masën “ndalim i daljes nga territori”, konkretisht për: Alba Zylfo, Jona Berberi, Lorela Ballabani, Zade Mali dhe Esjana Gjishti.
Ndërsa për Romina Agalliun u vendos masa “detyrim paraqitje”.
Nga provat e mbledhura, Prokuroria thekson se subjekti “Pharma Plus” ka deklaruar 2 mijë kuti “Foster” dhe 1107 kuti “Trimbow”, me vlerë rreth 10 milionë lekë, pa pasur asnjë blerje reale të dokumentuar.
Sipas organit të akuzës, miratimi i inventarëve fiktivë, lidhja e kontratave dhe mosrakordimi i të dhënave financiare tregon qartë përfshirjen e zyrtarëve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në këtë skemë të organizuar përfitimi korruptiv.
            
	





