Jo vetëm nxënësit, por edhe mësuesja, drejtoresha, psikologia e shkollës “Fan Noli” në Tiranë, dhe oficerja kanë qenë në dijeni të thikës që 14-vjeçari i dyshuar si autor i vrasjes së Martin Canit mbante në shkollë, ditën e ngjarjes.
Skandali del nga një pjesë e bisedës së regjistruar nga mbledhja e djeshme e prindërve (21 Nëntor), në shkollën “Fan Noli”.
Në audio dëgjohet teksa një prind i kërkon llogari mësueses dhe thotë se ndaj të gjithë stafit të shkollës që kishte dijeni se i mituri ishte i armatosur, duhen marrë masa.
“Përgjegjësia juaj ishte që ata fëmijë të mos vinin as orën e 5 e të 6 që kishin marrë leje. Nga e premtja ishte bërë çfarë ishte bërë dhe për zyshën duhet të merren masa, edhe për drejtoreshën. Edhe oficerja. Edhe psikologu ishte në dijeni”, thotë prindi.
Dhe ajo që është më e rëndë dhe përtej kufijve të logjikës, është se 14-vjeçari u kishte treguar thikën nxënësve të klasës dhe u kishte thënë se për kë e kishte marrë, por asnjë s’ka reaguar.
“Dhe kur gjithë klasa po përpëlitej, ai djali kishte thënë prisni ju çfarë do të ndodhë sot. Dhe vjen me një thikë kaq! Dhe ua ka treguar edhe shokëve”, vijohet në audio.
Një grup prindërish do të mblidhen sërish këtë të shtunë (23 Nëntor) para shkollës “Fan Noli”, për të bërë me dije se koha e reflektimit për Ministrinë e Arsimit ka mbaruar dhe për të njoftuar detajet e protestës së të hënës para Ministrisë së Arsimit.
Në protestën e djeshme, ata kërkuan siguri për jetën e fëmijëve dhe dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu.
Krimi i rëndë ndodhi ditën e hënë (18 nëntor) në kryeqytet, kurse sherri mes të miturve nxënës kishte nisur prej ditës së premte dhe janë ngritur pikëpyetje se si askush nuk arriti ta parandalonte krimin. Policia ka arrestuar autorin e dyshuar, një tjetër 14-vjeçar, që Gjykata e Tiranës e la në paraburgim.
Kjo ngjarje e rëndë ka ngritur edhe debatet për kufizimin apo mbylljen e rrjeteve sociale TikTok dhe Snapchat, nga ku ka nisur sherri, por edhe janë postuar video pas krimit nga autori. Nisma është lancuar nga kryeministri Edi Rama, si fushatë kundër bullizmit, rrjeteve sociale dhe parandalimit të ngjarjeve të tjera të ngjashme./Shqiptarja