
Ish-ministri britanik dhe ish-ambasadori në SHBA, Peter Mandelson, është liruar me kusht nga policia londineze, vetëm disa orë pasi u arrestua nën dyshimin për shpërdorim detyre gjatë kohës që mbante funksione publike.
Sipas Metropolitan Police, një 72-vjeçar u lirua në pritje të hetimeve të mëtejshme. BBC raportoi se Mandelson u pa duke u kthyer në banesën e tij në Londër rreth orës 02:00 me orën lokale.
Hetimi lidhet me dosjet “Epstein”
Policia ka nisur hetimet pas pretendimeve se, gjatë kohës që shërbente si ministër, Mandelson mund të ketë ndarë informacione sensitive të qeverisë me financierin e dënuar për abuzime seksuale, Jeffrey Epstein.
Arrestimi pasoi kontrolle në dy adresa në Wiltshire dhe Camden. Sipas dokumenteve të publikuara muajin e kaluar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, përfshihen email-e që sugjerojnë se në vitin 2009 Mandelson mund të ketë ndarë vlerësime të brendshme mbi politika ekonomike të qeverisë së atëhershme të Gordon Brown, përfshirë plane për shitje asetesh dhe masa financiare.
Mandelson nuk ka komentuar publikisht së fundmi, por sipas BBC-së, ai mohon çdo veprimtari kriminale dhe çdo motiv financiar.
Reagime politike dhe presion për transparencë
Qeveria britanike ka deklaruar se synon të publikojë dokumente lidhur me emërimin e tij si ambasador në SHBA në “fillim të marsit”, por thekson se çdo publikim duhet të mos cenojë hetimin në vijim.
Ndërkohë, liderja konservatore Kemi Badenoch e cilësoi arrestimin si “moment përcaktues” për kryeministrin Keir Starmer, duke e akuzuar për dobësi në përzgjedhjen e zyrtarëve të lartë.
Familja e ndjerë e Virginia Giuffre përshëndeti veprimet e autoriteteve britanike, duke kërkuar transparencë dhe drejtësi për viktimat.
Hetimet po kryhen nga divizioni i krimeve të specializuara të Met-it, ndërsa konsultimet me Prokurorinë e Kurorës janë në vijim. Çështja pritet të ketë ndikim të fortë politik në Londër, në një moment delikat për qeverinë britanike.






